A ishte ulur Sveçla në një tryezë me serbë edhe para dhjetë vitesh?
Xhelal Sveçla, aktivist i LVV, ishte ulur pranë një politikani serb edhe në vitin 2010, në një debat për decentralizimin në Kosovë, por ishte konfrontuar rreptë me të për sa i përket formulës së themelimit të këtyre njësive administrative sipas kriterit etnik, raporton MediaFokus.info.
Drejtues të komunave të reja në regjionin e Anamoravës nuk kishin refuzuar të uleshin pranë me aktivistin e lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, në një debat të Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan, ku ishte diskutuar për anët pozitive dhe negative të procesit të decentralizimit, por kanë shfaqur mospajtime me të në shumicën e çështjeve.
Gradimir Mikiq, asokohe kryetar i Komunës së Ranillugut, kishte thënë se qeveria e Kosovës duhet ta dijë se nuk mund të flitet për veriun, nëse nuk tregohen suksesshëm komunat në jug.
Mikiq, i cili disa vite më vonë vdiq në një aksident komunikacioni në Serbi, tha në këtë debat se për t`u përfshirë në procesin e decentralizimit dhe për të marrë pjesë në zgjedhje, atyre iu është dashur të rrënojnë shumë barriera.
Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, që ishte ulur pranë Mikiqit, tha se decentralizimi në Kosovë, kështu siç po bëhet, nuk është ofrim i shërbimeve te qytetarët, por kënaqje e apetiteve të Serbisë dhe strukturave të saj në Kosovë.
Këtë konstatim, ai e kishte argumentuar me një hartë serbe të vitit 1988, ku shihej se si është projektuar që atëherë kjo ndarje e Kosovës.
Për këtë arsye, vazhdoi Sveçla, ne e kemi kundërshtuar decentralizimin në vija etnike, përndryshe nuk jemi kundër një procesi normal, i cili do të bëhej për të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës.
“Në Kosovë, prioritet nuk duhet të jetë decentralizimi, por sovraniteti i vendit”, ka thënë Sveçla.
Duke replikuar me Sveçlën, kryetari i Komunës së Ranillugut nuk u pajtua se decentralizimi po bëhet për interesa të Serbisë, sepse po të ishte kështu, ai nuk do të kishte probleme me Beogradin, për shkak të pjesëmarrjes në këtë proces.
Madje, Mikiq kishte paralajmëruar mundësinë e largimit nga debati, nëse Sveçla do të vazhdonte me provokime./MediaFokus/

