A jeni deputetë apo thjesht figura që mbushin karriget në Parlament?
Majlinda Sulejmani
A jeni deputetë apo thjesht figura që mbushin karriget në Parlament? Sepse realiteti që po shohim është larg nga ajo që ju pretendoni.
Nuk jeni kukulla porcelani që vetëm duhet të duken mirë – jeni aty për të marrë vendime për një popull që po ju humb besimin çdo ditë.
Dhe po, duhet thënë hapur: disa prej jush as nuk e dinë realitetin për të cilin votojnë.
Unë jam nga Gjilani. Dhe Gjilani sot nuk është vetëm i harruar – është ndër rajonet prej nga njerëzit po largohen më së shumti. Kjo nuk është opinion, është realitet.
Kur një qytet zbrazet, kjo nuk ndodh rastësisht, por sepse mungon zhvillimi, mungojnë investimet dhe mungon vëmendja nga ata që duhet ta përfaqësojnë.
Flisni për autostrada, për projekte të mëdha, për zhvillim ekonomik… por kur vjen puna te Gjilani: heshtje.
As projekte konkrete, as investime serioze, as vizion. Vetëm fjalë gjatë fushatës dhe harresë sapo merrni mandatin.
Dhe pastaj vini në Parlament me fjalime të bukura, sikur qytetarët nuk e shohin çfarë po ndodh në terren.
Pyetja është e thjeshtë: a ju ka votuar populli sepse beson tek ju, apo sepse është mbushur me premtime boshe? Sepse diferenca mes fjalëve dhe veprimeve tuaja është bërë e papranueshme.
Gjilani nuk është statistikë në letër. Është qytet me njerëz që po detyrohen të largohen sepse nuk shohin perspektivë.
Dhe kjo është përgjegjësi direkte e politikës që ka zgjedhur të shohë diku tjetër.
Mos harroni: mandati nuk është privilegj, është përgjegjësi. Dhe nëse vazhdoni kështu, ata që sot po i injoroni – nesër nuk do t’ju japin më as votën, as besimin.
Harrova, asnji minister i Gjilanit!

