A kishte pretendime Tahir Zemaj të merrte TMK-në?

Koloneli Tahir Zemaj me bashkëpunëtorët e tij, e pat vizituar Gjilanin në qershor të vitit 2001.

Lutfi Haziri, kryetar i Kuvendit e kishte vlerësuar një nder të veçantë për organet komunale vizitën e kolonel Zemaj në Gjilan.

Në një takim me strukturat komunale, koloneli Zemaj, pasi rikujtoi punën dhe angazhimet në luftë të shumë djemve të kësaj ane e sidomos Agim Ramadanin, tha se ka një respekt tepër të lartë për Karadakun.

Ndërkaq duke sqaruar arsyet e kthimit të tij në Kosovë, Zemaj pohoi se nuk është kthyer këtu për të krijuar një TMK paralele, por për të biseduar me kompetentët dhe me TMK-në për angazhim e rreth 150 eprorëve profesionalë.

“Ne duam të kyçemi aty ku është vendi ynë”, kishte pohuar Zemaj, duke mohuar se qëllimi i tyre ishin postet dhe pozitat.

“Ne nuk vijmë që t`i marrin postet e as unë nuk kam ardhur që të udhëheq TMK-në, por që të punojmë për avancimin e saj, për profesionalizëm. TMK-ja do të jetë shkalla e parë e pavarësisë së Kosovës”.

Përndryshe, Zemaj mohonte të kishin ndonjë xhelozi ndaj atyre që ishin në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, por shtonte se dëshira jonë është që edhe ne të jemi aty.

“Kosovës i duhet një ushtri shumë e fortë dhe ajo duhet të jetë e vetëdijshme që Serbia nuk do t`i shuajë kurrë apetitet e veta për Kosovën, pavarësisht se çfarë pushteti udhëheq atje”.

Zemaj me bashkëpunëtorë i bëri vizitë edhe familjes së dëshmorit Agim Ramadani në Zhegër.

Reagimet e para në Gjilan nga vizita e kolonelit Tahir Zemaj, kanë qenë se me ardhjen e tij në Kosovë, po fillon një debat i ri për luftën dhe të ardhmen e TMK-së.