A po shkon LDK drejt legjitimimit të fraksionit të saj apo drejt riorganizimit?

Me sulmin ndaj Agim Veliut, Vjosa Osmani sikur e konfirmoi se ishte në vijë me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkarkimin e tij. Përderisa në asnjë rast nuk e kishte mbrojtur bashkëpartiakun e vet të shkarkuar tinëzisht, ajo sikur dëshmoi se ishte edhe pjesë e këtij komploti, me qëllimin edhe të eleminimit të tij nga skena poltike dhe hapja e rrugës drejt marrjes së partisë.

Shkruan: Nexhat Hajrullahu

Edhe pse LDK si parti e qendrës së djathtë qëndron pak më mirë me demokraci të brendshme se sa partitë e tjera të etabluara në Kosovë.

Që nga vdekja e liderit të saj historik Dr. Ibrahim Rugova, nuk ka arritur ta plotësojë vakumin e lënë nga Ai.

Në luftën e saj poltike, LDK është ballafquar me probleme të ndryshme të brendshme dhe të jashtme. Në garën e brendshme, ajo u sfidua me një luftë të koncepteve dhe të gjeneratave si dhe me një garë grupore ku edhe herë pas here e dëmtuan konsolidimin e saj demokratik.

Kundërshtarët e saj të jashtëm kanë bërë gjithçka që ta dobësojnë, përçajnë dhe ta përdorin kur iu është dashur.

Mirëpo, LDK u gjend gjithmonë në ballë të proceseve dhe në bazë të konsistecës  dhe kaudrove, vlera e saj në tregun kosovar poltik mbeti e një rëndësie të veçantë për Kosovën.

Tani, pas zhvillimeve të fundit, pas votimit të mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë Kurti, sikur edhe një herë po sfidohet uniteti dhe unifikimi i partisë, duke pasur parasysh edhe pozicionimin e disa anëtarëve dhe deputetëve të LDK-së, dhe sidomos pozicioni i ish-kandidatës për kryeministre, tani kryeparlamentare, nga radhët e LDK, zonjës Vjosa Osmani.

Në intervistën e saj të dhënë në KTV ajo shfaqi qëndrimin e saj dhe kritikat ndaj lidershipit të LDK-së për anashkalimet që i janë bërë në lidhje me bisedimet brendapartiake për mocionin e votëbesimit.

Ajo sulmoi kryesisht kryetarin Isa Mustafa dhe nënkryetarin Agim Veliu, duke aluduar qëndrimin e saj në dallimin thelbësor konceptual ndërmjet saj dhe gardës së vjetër.

Me sulmin ndaj Agim Veliut, ajo sikur e konfirmoi se ishte në vijë me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti për shkarkimin e tij. Përderisa në asnjë rast nuk e kishte mbrojtur bashkëpartiakun e vet të shkarkuar tinëzisht, ajo sikur dëshmoi se ishte edhe pjesë e këtij komploti, me qëllimin edhe të eleminimit të tij nga skena poltike dhe hapja e rrugës drejt marrjes së partisë.

Ky, bësoj se mund të jetë një gabim trashanik i saj poltik, sepse nuk ecet kështu në politikë dhe nuk ndërtohet karriera politike në këtë mënyrë.

A po shkon drejt legjitimimit të një fraksioni apo tregimi i derës për ata që mendojnë ndryshe?

Tani, në pozitën që gjendet LDK, sikur po shkon drejt fragmentarizimit edhe një herë, pas disa problemeve dhe kërcënimeve edhe të mëhershme, ku ndarjet dhe sabotazhet e ikjet e disa prej figurave të rëndësishme partiake e sfiduan dhe e dobësuan.

Ndoshta edhe legjitimimi i një fraksioni brenda LDK-së, mund të ishte një alternativë, me gjithë dyshimet se kjo mund të funksionojë në Kosovë. Siç dihet, kjo mënyrë e organizimit partiak, kur fraksionet apo nën-ndarjet nga partitë ëmë funskionojnë në parti evropiane.

Mospajtimet ideologjike, konfliktet ndërmjet personaliteteve brenda partisë, ndryshimet  konceptuale dhe të gjeneratave, mund të jenë ndoshta edhe disa prej shkaqeve që mund të çojnë deri në një riorganizim të LDK-së, por unifikimi potencial do të ishte veprimi më i mirë dhe më i matur i figurave kryesore dhe elektoratit të LDK-së.

LDK, në kushte normale, do të duhej të bënte një debat të mirëfilltë të brendhshëm, por kjo në kushte pandemie sikur është e pamundur. Ruajtja e figurave dhe elektoratit rugovian bëhet vetëm nëse kontributi i secilit vlerësohet dhe mendimi ndryshe respektohet deri në atë masë që nuk e dëmton edhe unitetin e parties, si vlerë.

Ardhja e figurave të reja dhe hapja e partisë, është kusht për rritje të diversitetit të mendimeve, por kjo duhet të shkojë paralelisht me pranimin, konsolidimin dhe ndërtimin e vlerave të përbashkëta.

Elektorati dhe strukturat po piskasin në heshtje për unitet

Kundërshtarët, si gjthmonë, e duan një LDK të nëpërkëmbur, një patericë të tyre, që ta shfrytëzojnë kur nuk mund të qëndrojnë në këmbët e tyre.

Një LDK e fortë dhe e mirëorganizuar i duhet Kosovës, sepse bagazhi i saj është kombëtar dhe ka një rol vendimtar në marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, andaj investimi i gjeneratave në këtë parti duhet të ruhet si vlerë e përbashkët dhe jo të rrezikohet nga brenda e jashtë, nga ata që qëllimisht gjithëherë deshën ta zhdukin nga skena politike.

Ata që e urryen rugovizmin, nuk arritën asnjëherë ta fitojnë respektin e popullit, edhe nëse arritën të fitojnë ndonjë pozitë momentale institucionale. Pra, ruajtja dhe konsolidimi i LDK-së, është detyrë e patriotëve të vërtetë që ia duan të mirën Kosovës dhe LDK-së.

Kjo detyrë duhet të kryhet nga lidershipi i partisë, aktivistët e devotshëm që i duan dhe i respektojnë vlerat e mirëfillta të filozofisë rugoviane për një shtet të zhvilluar, demokratik dhe në miqësi të përhershme me aleatët tanë perëndimor.

Për fund, dikush duhet të ndërhyjë për t’i qetësuar polarizimet kaq të skajshme. Dhe ky dikush, mendoj se është Lutfi Haziri, nënkryetari dhe dyreku i rugovizmit. Në dekadën e fundit, me maturinë për lakmi, ai ka dëshmuar se di t’i unifikoj njerëzit dhe t’i bashkoj copat e partisë. Elektorati e strukturat po heshtin në këtë fazë, por në brendi po piskasin për unitet./Enkas për Mediafokus.info/

(Autori është anëtar i Kryesisë së Degës së LDK në Gjilan)