Bernie Sanders heq dorë nga gara presidenciale e vitit 2020

Senatori Bernie Sanders ka ndërprerë fushatën e tij presidenciale, duke i hapur kështu rrugë kandidimit nga Partia Demokratike të kundërkanditatit të tij, ish-zëvendëspresidentit Joe Biden.

Sanders njoftoi stafin e tij për këtë përmes një thirrje telefonike, kanë bërë të ditur anëtarë të ekipit të tij.

“Do të doja t’ju kisha dhënë lajme më të mira, por mendoj se ju e dini të vërtetën, dhe ajo është se tashmë jemi gati 300 delegatë mbrapa zëvendëspresidentit Biden, dhe rruga drejt fitorës është praktikisht e pamundur.”, tha Sanders gjatë një paraqitje online.

“Derisa ne jemi duke fituar luftën ideologjike dhe ne jemi duke fituar përkrahjen e shumë të rinjve dhe punëtorëve në gjithë vendin, unë kam arritur në përfundim se kjo betejë për nominim nga Partia Demokratike nuk do të jetë e suksesshme. Prandaj, sot deklaroj ndërprerjen e fushatës sime.” 

Sanders tha që ai nuk e mori vendimin lehtë, duke e përshkruar atë si një “vendim shumë të vështirë dhe të dhimbshëm”./mediafokus.info/