Aga Tush ishte një njeri me mbamendje të fortë

Është ndarë nga jeta Bejtush Daut Shabani – njeriu me mbamendje të fortë, i dashur dhe i respektuar në fshatin e tij, Pogragjë të Gjilanit dhe përtej.

Bejtushi ishte njëri nga dy njerëzit më të moshuar të fshatit.

Një burrë që i respekoi dhe e respektuan të gjithë.

Të gjithë, me respekt e thërrisnim Aga Tush.

Babai i tij, Daut Shabani, një puntor i madh e një kryefamiljar i shkëlqyeshëm, ishte i vetmi në fshatin Pogragjë që kur e përgatiste dhe e shiste një kerr me dru në qytetin e Gjilanit, me parat e fituara arrinte ta blinte një kilogram sheqer.

Të pakta ishin familjet e Karadakut që arrinin ta siguronin një kg sheqer për net të mëdhaja, në kohën kur sheqeri blihej me kokrra, më së shumti me ‘fertal’ (në atë kohë, një kilogran sheqer kushtonte sa dy metra dru, përafërsisht 120 €)….

Nga një familje e tillë e respektuar, shumë puntore e me traditë vjen Bejtush D. Shabani.

Aga Tush ishte një puntor i madh, një njeri i sjellshëm e human, një shtyllë e familjes Shabani, një mjeshtër i përsosur i ndërtimit, duke punuar herë vetëm e herë në grup.

Veprat e tij do të jetojnë e do të përmendën gjithmonë.

Në vitet shtatëdhjeta e punoi minaren e xhamisë të fsh. Pogragjë së bashku me mjeshtrin Feriz Dazhdinca (Aga Tush mjeshtrinë e bëri falas).

E kujtojmë sot, kur këtu e njëzet e tri vjet më parë, në kohën e fillimit të pluralizmit politik në Kosovë, kur ne, Kryesia e Nëndegës së LDK-së, anëtar i së cilës ishte edhe djali i tij i ndjerë – Xhelali, një nga mbledhjet e radhës e mbajtëm në shtëpinë e Bejtush Shabanit.

Ai qëndroi me neve gjatë tërë kohës që diskutuam për mënyrat e zhvillimit të aktivitetit dhe punës që bëhej në fshat… në fund të takimit, në procesverbal shënuam edhe porosinë e Agës Tush: “Kam përcjellë shumë gjenerata të udhëheqësve të fshatit tonë. Pogragja ka pas çdo herë udhëheqës të mirë, të drejtë e të guximshëm… prej Bejtullah Jakupit, Hasan Fetahut, Ruhit Rexhepit, Hajriz Shabanit, Muharrem Alliut, Rexhep Rexhepit, Ramiz Shabanit, Riza Jasharit, Sherif Salihut e shumë të tjerëve që kanë punu drejt dhe e kanë ruajtur fshatin… Po gëzohem që po ju shoh bashkë, mos u ndani kurrë, se nëse punojmë pa hile, me drejtësi e me zemër hiç pa shybe (pa dyshim) se do të fitojmë”.

Ishte kjo përkrahja dhe porosia që morëm nga njeriu përparimtar që përkrahu dhe ndihmoi pa rezervë aksionet e fshatit.

Aga Tush ishte bujar i madh. Një burrë i veshur me shije, që i kishte hije vendi ku rrinte e kur fliste për fshatin, për njerëzit, për ngjarjet, për emrat e vendeve, lumenjve, kodrave, fushave… e në veçanti për mullinjtë e Pogragjës e të Karadakut, si industri e bluarjes së drithërave.

I mbante mirë në medje. Edhe pse i shtyrë në moshë, i artikulonte mirë mendimet i radhiste mirë fjalët dhe i shpjegonte mirë ngjarjet.

Biseduam edhe për familjen time. Më tha – Ta njoh mirë babëgjyshin- Mulla Ismajlin, jam falë pas tij. E kam respektuar dhe më ka respektuar! Fjalët që m’i thoshte për te, përputheshin plotësisht me ato që m’i kishte treguar babai im i ndjerë.

Gjatë bisedës të krijonte përshtypjen e një njeriu me mbamendje shumë të fortë.

Të lodhëm pak Aga Haxhi – i thash?
Jo tha – Unë kurrë nuk lodhna kur flas për Pogragjën, për vendlindjen, për njerëzit e mij.

Kur u ndamë, u ngrit e na përcolli deri n’ kry t’shkallëve dhe ashtu qëndroi në këmbë deri sa hyjmë në kthesën e parë të rrugës, kur na përshëndeti me dorë.

Bejtush Shabani, kurrë nuk u përkulë para vështirësive. Ai qëndroi gjithmonë drejt dhe ishte një unazë e fortë në boshtin kurrizor, jo vetëm të familjes, por edhe të fshatit Pogragjë.

Të tillë, Agën Tush, do ta kujtojmë gjithmonë me respekt!/Izeir Hyda