Ibrahim Shabani, një intelektual i spikatur nga Gjilani kremton 90-vjetorin e lindjes

Intelektuali i spikatur nga Përlepnica e Gjilanit, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe në pension, Ibrahim Shabani, ka kremtuar këto ditë 90-vjetorin e lindjes, duke gëzuar një shëndet të lakmueshëm për moshën, shkruan Mediafokus.info

Festa familjare u bë në shtëpinë e vjetër, ku janë lindur dhe kanë jetuar pesë breza, nga viti 1880, mes tyre edhe Ibrahimi dhe për koincidencë ka rastisur që të njëjtën ditë ta ketë ditëlindjen edhe vajza e tij, Lendita, 47 vjet më e re se babai.

Shkollimin fillor, katër klasash, Ibrahimi e kreu në vendlindje, pro gjimnazin në Prizren, kurse Normalen – në Prishtinë. Fakultetin Filologjik, Dega e Albanologjisë e kreu në Beograd.

Në vitin 1953 filloi punën si arsimtar i gjuhës shqipe në Bresalc të Gjilanit, për të vijuar tutje si arsimtar dhe drejtor shkolle në Zhegër (1955-1959).

Në të njëjtën detyrë vazhdoi edhe në Përlepnicë, fshatin e tij të lindjes, si dhe në shkollën e mesme ekonomike në Gjilan.

Në vitet pasuese, Ibrahimi punoi në shkollën normale ‘Skënderbeu’ në Gjilan (1963-1969), pastaj drejtor i Bibliotekës Amë dhe i Qendrës për Arsim e Kulturë në Gjilan (1969-1979).

Prej vitit 1979 e deri në vitin 1984 ishte drejtor i Entit Regjional Arsimor-Pedagogjik në Gjilan, kur u shkarkua nga kjo pozitë për shkak të ‘papërshtatshmërisë’ politike dhe u lejua të punojë aty si këshilltar pedagogjik.

Në vitin 1991 u përjashtua nga puna në Entin Arsimor-Pedagogjik. Po këtë vit shkoi në pension të parakohshëm.

Gjatë gjithë karrierës së tij, si një intelektual i mirëfilltë, Ibrahim Shabani spikati me përkushtimin ndaj gjuhës shqipe, arsimit në gjuhën shqipe dhe çështjes kombëtare, për çka u respektua dhe vazhdon të respektohet nga populli.

Nga publiku, Ibrahim Shabani, cilësohet një thesar i vërtetë i dijes.

Nexhemdin Ymeri ish-gazetar e redaktor në Radio-Gjilan, thotë se Ibrahim Shabani ka kontribut të pamohueshëm në lëmin e kulturës, veçmas në rritën dhe suksesin e Teatrit të Gjilanit.

Edhe Ramadan Myrtaj vlerëson se Ibrahim Shabani ishte dhe mbetet ndër personalitetet që ka lënë gjurmë të thella në fushën e arsimit dhe të kulturës, në mjedisin tonë dhe jo vetem.

Ndërkaq Sabedin Shahiqi, aktor shumëvjeçar, thotë se Ibrahimi është personalitet i cili dha kontribut të madh për kulturën në Gjilan. Është themelues i Teatrit të Gjilanit. Sa ishte drejtor i Qendrës për Kulturë punësoi 7 aktorë. Arritjet e Teatrit të Gjilanit, janë meritë e tij. /Mediafokus.info/