FSK-së i shtohen edhe 12 kadetë të rinj

Në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt ceremonia e betimit të 12 kadetëve të rinj të Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, gjenerata 2026.

Duke uruar kadetët në për këtë ditë të veçantë në jetën e tyre, ministri Mehaj theksoi se për katër vitet e ardhshme ata do të përgatiten për karrierë të përsosmërisë profesionale në shërbim të atdheut, si oficerë në Ushtrinë e Republikës së Kosovës.

“Nga ju kërkoj që për katër vitet e ardhshme të arrini zhvillimin e duhur ushtarak, fizik dhe moral dhe të formësoheni në udhëheqës me karakter si qëllimi kryesor dhe kjo do të na bëjë të gjithëve shumë të lumtur dhe krenarë.

Pas katër viteve do të jeni të gatshëm të bashkoheni në stërvitje dhe operacione ndërkombëtare në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë, krah për krah me kolegët tuaj nga forcat partnere”, tha ndër të tjera ministri Mehaj.