Agim Ademin po synojnë ta rrëzojnë ata që kanë vdekur politikisht

‘Ata’ po koriten. Presidenti Ademi do të jetë aty. Së paku deri në përfundimin e mandatit katërvjeçar, të njohur nga UEFA dhe FIFA.

Shkruan: Eroll Januzi

Tashmë edhe zyrtarisht janë mbyllur të gjitha takimet e futbollit në Superligën e Kosovës për stinorin vjeshtor.

Pas 10 viteve aktiv si gjyqtar i futbollit në Federatën e Futbollit të Kosovës, nga vjeshta e këtij viti i kam thënë ‘lamtumirë’ ushtrimit të këtij zanati, pasi tash e një muaj jetoj dhe veproj në Suedi.

Prandaj, nga distanca më lejohet edhe t’i them dy fjalë.

Si asnjëherë më parë, kam pasur mundësi t’i shoh të gjitha ndeshjet e Superligës së Kosovës (javët e fundit) dhe jam i impresionuar nga organizimi i klubeve dhe cilësia e lojës.

Por, mendoj që cilësia e vërtetë e këtij kampionati ka qenë ndarja e drejtësisë dhe gjyqtarët.

Ndoshta ka qenë gjithmonë kështu dhe unë s’kam pasur mundësi t’i shikoj të gjitha ndeshjet në televizor për shkak edhe të angazhimeve tjera që kam pasur, përpos si gjyqtar futbolli.

Ajo që dua të them është se është bërë një punë e jashtëzakonshme në ngritjen e profesionalizmit të gjyqtarëve në Kosovë dhe për këtë meritat i shkojnë kryetarit të referëve dhe Federatës së Futbollit, të cilët në mënyrë aktive kanë organizuar seminare, duke ndikuar direkt në ngritjen e cilësisë dhe që të ketë gabime sa më pak.

Kohëve të fundit janë shtuar zërat për grumbullimin e nënshkrimeve nga njerëz të ndryshëm për rrëzimin e presidentit Agim Ademi.

Nuk është hera e parë që provojnë këtë, por do të përfundojnë njësoj sikur herave të tjera.

Këto iniciativa janë të ndikuara nga njerëz që kanë vdekur politikisht dhe shpëtimin nga fundosja po tentojnë ta gjejnë tek Federata e Futbollit, me qëllim të përfitimit material dhe për interesa personale.

Por, ‘ata’ po koriten. Presidenti Ademi do të jetë aty. Së paku deri në përfundimin e mandatit katërvjeçar, të njohur nga UEFA dhe FIFA.

(Opinioni është shkruar enkas për MediaFokus).