Agim Spahiu, lojtari me shpirt garues e vullnet të jashtëzakonshëm dha kontribut të madh në futbollin vendor

Shkruan: Ismajl Veliu

Agim Spahiu ishte një ndër futbollistët më të talentuar të gjeneratës së tij dhe një golashënues i spikatur te juniorët e “Yllit të Kuq” në vitin 1978.

Me paraqitjet e tij të shkëlqyera, talentin dhe përkushtimin në fushën e gjelbër, ai shpejt fitoi besimin e trajnerëve dhe të tifozëve.

Pas suksesit me ekipin e juniorëve, Agimi u bë pjesë e ekipit senior të “Yllit të Kuq”, ku luajti gjatë viteve 1981–1982.

Ai njihej si një lojtar luftarak, me shpirt garues dhe vullnet të jashtëzakonshëm, i cili në shumë ndeshje arrinte të shënonte gola të bukur dhe vendimtarë për ekipin e tij.

Përveç karrierës si futbollist, Agimi dha kontribut të madh edhe si veprimtar sportiv.

Në vitin 2007 ishte një nga themeluesit e KF Bashkimi, klub në të cilin veproi dhe kontribuoi pandërprerë deri në vitin 2024.

Gjatë këtyre viteve, ai ishte ndër shtyllat kryesore të klubit, duke punuar me përkushtim në organizimin, zhvillimin dhe avancimin e futbollit, si dhe në edukimin e gjeneratave të reja të sportistëve.

Një kohë të gjatë, Agim Spahiu ushtroi edhe detyrën e delegatit në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit, duke dhënë kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e garave dhe zhvillimin e futbollit në rajon.

Sot, emri i tij përmendet me respekt nga bashkëlojtarët, sportdashësit dhe komuniteti sportiv, si një njeri që ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës futbollit dhe sportit gjilanas.