Alarmon Ismajli: Kosova mund të mbetet pa mjekë nëse s’rriten pagat

Nëse nuk iu rriten pagat, vendi mund të mbesë pa profesionistë shëndetësorë. Kështu po alarmon ministri në detyrë i shëndetësisë kosovare, Uran Ismaili. Ai po thotë se i gjithë personeli shëndetësorë po pret që në fund të dhjetorit t’i marrë pagat me rritje.

Por kjo gjë nuk dihet ende. E gjitha varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, institucion ky i cili po e shqyrton ligjshmërinë ë Ligjit për Paga të dërguar tashmë aty. Megjithëse  kundër këtij vendimi kanë dalë sindikatat e punëtorëve shëndetësorë, policisë dhe mësimdhënësve.

Por sipas ministrit të shëndetësisë, Uran Ismailit, rritja e pagave do të ndikonte në ndaljen e fluksit të migrimit të mjekëve dhe infermierëve.

“Gjithë personeli shëndetësor por edhe unë kemi pritur që dhjetori të jetë një lajm të mirë i pritur me shumë vite. Punëtorët shëndetësor janë ata që së bashku me ne janë duke e këndellur gjithë sektorin e shëndetësisë dhe është e domosdoshme që pagat t’i kenë më rritje. Kështu do të ndalen migrimet e tyre në shtetet e huaja si dhe pacientët mos të kërkojnë shërbime në klinika privat ku janë më të shtrenjta. Është një zhgënjim që po zvarritët”, thotë Ismaili.

E në Kosovë, vetëm gjatë dy viteve të fundit sipas zyrtarëve shëndetësorë janë rreth 250 mjek që e kanë lënë Kosovën për ta dhënë kontributine  tyre në njërin nga shtetet evropiane, kryesisht në Gjermani e Zvicër. Që i bie se në cdo tre ditë një mjek e infermier po largohet nga Kosova.

Së fundmi interes për mjekët kosovarë haptas është duke shprehur Gjermania. Madje ministri i shëndetësisë nga ky shtet ka kërkuar që Gjermania, t’ua lehtësoje procedurat e migrimit mjekëve e infermierëve nga Kosova.

Ministri gjerman, Jens Spahn thotë se dikasteri që ai e udhëheq ka nevojë edhe për 80 mijë punëtorë shëndetësorë.

“E vërteta është se ata që janë lindur para 18 vitesh nuk mund që sot t’i edukojmë profesionalisht. Nuk mund të mbulojmë kërkesat e mëdha për profesionistë të shkolluar prej mbi 80 mije punonjës me kuadro mjekësore nga brenda. Po, ne duam më shumë profesionistë të edukuar. Por, na duhet fuqia profesioniste nga vendet e tjera”, tha ministri gjerman gjerman në një fjalim në Bundestagun gjerman të premten.

Por të rrezikshme këto deklarata të ministrit po duken nga ana e profesionistëve shëndetësorë. Në një prononcim për Gazetën Express, kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sjediu po shprehet se nëse vazhdohet me këtë trend, Kosova për një kohë shumë të shkurtër rrezikon që të mbetet pa profesionist të rinj shëndetësorë.

Sipas tij, në bazë të matjeve që i kanë bërë për çdo tre ditë, një mjek po largohet nga Kosova. Ndërkohë që për dy vitet e fundit, nga vendi kanë ikur 215 profesionistë shëndetësorë.

“Situata është shqetësuese. Duhet të merren seriozisht nga ana e shtetit këto ikje. Ne qysh para një kohe e kemi paparaparë se do të ndodhë ky rrezik. Po bëhet marketing i madh përmes së cilit mjekët po joshen për të punuar jashtë Kosovës. Nuk është çështja vetëm tek rroga por edhe të mundësitë që shteti po ia ofron të rinjve, profesionistëve shëndetësorë”, thotë Sjediu.

Ai deklaron se shumica e profesionisteve të rijnë, janë duke i vijuar kurset e gjuhës gjermane e angleze. Me të vetmin qëllim, atë të migrimit jashtë Kosovës.

“Nëse vazhdon kështu, Kosova do të mbesë pa mjekë. Mbi 90 për qind e tyre janë duke i vijuar kurset e gjermanishtes dhe të anglishtes. Rritja e rrogave që ndodhi tash është vetëm fasadë. Në dy vitet e fundit neve na kanë ikur rreth 215 profesionistë shëndetësorë”, thotë Sejdiu.

E shqetësuese gjithë këtë situatë po e sheh edhe Sindikata e Shëndetësisë kosovare.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë po deklaron se përveç Gjermanisë, interesim për mjekët kosovarë po shpreh edhe Zvicra.

“Ne kemi paralajmëruar. Kjo situatë është shumë e rrezikshme. Ne tash edhe nga ana e Zvicrrës kemi kërkesa për mjekë.  Ka rrezikshmëri që këto dy shtete, Gjermania e Zvicrra t’i gëlltisin mjekët kosovarë”, thotë Syla, duke shtuar se deklaratat e ministrit gjerman, duhet të shihen si serioze nga ana e institucioneve publike shëndetësore në Kosovë.

“Deklarata e ministrit shkon në favor të asaj që ne mund të mbesim pa kuadrin e ri, ndërsa Gjermania t’i zëvendësojë mjekët e saj, me mjekët e rinj kosovarë. Shteti duhet ta sigurojë vendin e punës mjekëve tanë. Kjo çështje duhet të kthehet në politikë nacionale. Mos të na ikun këta njerëz për shkak të mungesave që i kemi në vendin tonë”, shpreh shqetësimet e tija Syla.

Ai deklaron se rekrutimet e mjekëve kosovarë për në Gjermani në të shumtën e rasteve po bëhen në mënyrë të jashtëligjshëm përmes kompanie private në  vend të cilat po i joshin me oferta mjekët tanë.

”Sa kam unë informata për ditë ka kërkesa të mjekëve. Ikja e mjekëve mund të mos shkojnë në mënyrë të ligjshme.  Kompanitë që i rekrutojnë i marrin prej shtetit gjerman para të mëdha”, thotë Syla.

E qindra mjekë viteve të fundit kanë ikur nga Kosova për ta vazhduar profesionin e tyre në shtetet tjera të Bashkimit Evropian, ku edhe po paguhen më shumë. Fluksi i ikjeve i punëtorëve shëndetësorë vlerësohet të jetë në rritje edhe gjatë këtyre muajve, derisa po shtohet edhe rreziku se Kosova nuk do të ketë mjaftueshëm mjekë në një të ardhme të afërt./GazetaExpress/