Amerika pranon ndihmën e Rusisë me pajisje mjekësore në luftimin e koronavirusit

Një aeroplan ushtarak transportues i forcave ruse është nisur nga Moska drejt Shteteve të Bashkuara i mbushur me maska dhe pajisje të tjera mjekësore si ndihmë për luftimin e koronavirusit, raportoi televizioni shtetëror rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ofroi ndihmë homologut të tij amerikan, Donald Trump, gjatë një bisede telefonike që dy liderët e zhvilluan mes vete të hënën në lidhje me luftimin e koronavirusit.

Pritet që fluturimi i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të kritikohet në Shtetet e Bashkuara pasi nga presidenti Trump më parë është kërkuar të mbajë distancë nga Putini. Analistët thonë se Moska i përdor këto ndihma si mjet për propagandë për ta zgjeruar ndikimin e vet, gjë që është mohuar nga Kremlini.

“Trumpi e pranoi ndihmën me mirënjohje”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Vetë Trumpi u tregua falënderues për ndihmën e Rusisë pas bisedës telefonike me Putinin, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Shtetet e Bashkuara e kanë numrin më të lartë të të prekurve nga koronavirusi me gati 190 mijë persona të infektuar dhe presidenti amerikan ka paralajmëruar se dy javët e ardhshme do të jenë shumë të dhembshme për vendin.