Kosova, një shembull i mirë në trajtimin e koronavirusit, shërohet edhe italianja
Kosova ka hyrë në një fazë të shërimit të suksesshëm të koronavirusit, derisa gjendja e përgjithshme po mbahet nën kontroll.
Deri tani janë konfirmuar negativ edhe me teste kontrolluese gjashtë pacientë.
Pesë prej tyre janë shëruar sot plotësisht dhe janë liruar nga Klinika Infektive.
Në mesin e pacientëve të shëruar është edhe shtetasja italiane e cila punon në një organizatë humanitare në Klinë.
Katër pacientët tjerë janë nga Stublla e Vitisë, Malisheva dhe këngëtari Muhamet Sejdiu me bashkëshorten e tij.
Shërimin e këtyre pacientëve e kanë konfirmuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Në Kosovë deri më tani janë testuar 1 mijë e 267 mostra të dyshimta, 112 prej tyre kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, ndërsa është shënuar një viktimë nga Podujeva.
Shërimi i 6 rasteve konsiderohet meritë e institucioneve shëndetësore, ndërsa mbajtja nën kontroll e gjendjes është rezultat i disiplinës qytetare në zbatimin e masave emergjente shëndetësore./mediafokus.info