“Anamorava” shkëlqeu në Festivalin folklorik “Diaspora jehon” në Lozanë të Zvicrës
Një tjetër sukses i madh për Qendrën Kulturore “Anamorava” në skenën ndërkombëtare!
Me një program të pasur artistik, të interpretuar me përkushtim dhe energji të jashtëzakonshme “Anamorava” rrëmbeu vendin e dytë në edicionin e dytë të Festivalit Folklorik “Diaspora Jehon”, të mbajtur në Lozanë të Zvicrës.
Vendi i dytë – Qendra Kulturore “Anamorava”, Çmimi “Këngëtari më i mirë” – Nazmi Hajdari.
Edicioni i dytë i këtij festivali mblodhi një numër të konsiderueshëm të ansambleve dhe grupeve artistike nga diaspora, Kosova dhe Shqipëria, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme të kulturës, traditës dhe artit shqiptar.
Në një konkurrencë të tillë artistike, të jesh fitues i dy çmimeve është një vlerësim i madh për punën, përkushtimin dhe nivelin artistik të Qendrës Kulturore “Anamorava”.
Me programin e saj, “Anamorava” elektrizoi publikun, duke sjellë në skenën e Lozanës traditën, muzikën dhe vallet tona popullore.
Drejtuesit e Qendrës kulturore “Anomorava” thonë se ishte një ndjenjë e papërshkrueshme të përfaqësonim denjësisht Vitinë, Anamoravën dhe Kosovën në një skenë të tillë.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë valltarët, këngëtarët, instrumentistët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në këtë sukses.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – “Rinia në Lëvizje 2026”.
“Anamorava” vazhdon të dëshmojë se tradita jonë, kur punohet me përkushtim, mund të shkëlqejë kudo në botë!

