Apeli ashpërson dënimin ndaj Pjetër Ndrecajt, por jo në dënim të përjetshëm si herën e parë

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka ashpërsuar dënimin ndaj të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, nga 24 vjet e 6 muaj sa ishte dënuar nga Gjykata Themelore, në 30 vjet burgim. 

“Deri të ngritja e dënimit erdhi, pasi që Gjykata e Apelit, konkludoi se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Pastaj se nuk i ka marr për bazë disa rrethana renduese, sidomos faktin se i pandehuri edhe më parë është sjellë në mënyrë të dhunshme me bashkëshorten, tani të ndjerën V.N., se veprën penale e ka kryer në shtëpinë e familjes së saj, në prezencë të anëtarëve të familjes, se ka privuar nga jeta edhe vajzën e tij si dhe një mori rrethanash tjera”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata e Apelit thekson se në këtë rast ka zbatuar dispozitën e nenit 42 të KPRK-së, sipas të cilave parashihet që për veprat penale për të cilat është paraparë dënim jo më pak se 10 vjet, apo dënim me burgim të përjetshëm, gjykata mund të shqiptojë dënim me burgim deri në 35 vjet.

Kujtojmë se Ndrecaj ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, në nëntor të vitit 2018, me 24 vjet burgim, ndërkohë që Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2019, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë, duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm.

Më pas, lënda shkoi në Gjykatën Supreme, e cila e ktheu rastin në rigjykim.

Në rigjykim, Gjykata Themelore në Gjakovë e shpalli Ndrecajn për herë të dytë fajtor, duke e dënuar me 24 vjet e gjysmë burgim, 6 muaj më shumë se në herën e parë.

Rasti u dërgua sërish në Gjykatën e Apelit, ndërsa sot kjo gjykatë vendosi që të akuzuarit t’i rritet dënimi në 30 vjet burgim.