Arben Fetahu falënderon Lutfi Hazirin për mbështetjen ndaj klubit RC Cola Drita

Kryetari i Komunë së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune kryetarin e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, i cili shoqërohej me anëtarët e Bordit, Leart Hoxha dhe Arben Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryetar i RC Cola Drita.

“Këtë pasdite e kemi ndarë për takim koordinimi me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe ju falënderoj shumë për vizitën e takimin e frytshëm. Me këtë rast, e uroj Arben Bislimin për rikthimin në Superligën e Baskebollit të RC Cola Drita. Ne ndihemi krenarë me këtë të arritur”, ka thënë Haziri.

Haziri tha se do të bëjnë gjithçka që në kuadër të Komunës ta rishikojnë fondin dhe mundësitë për mbështetje të klubit RC Cola Drita për funksionim normal e pa telashe.

“Apeloj bizneset e interesuara që të bëhen pjesë e sponsorimit në sport e kulturë sepse ligji ua mundëson lehtësimet në tatime. Bashkëpunimi trepalësh mes Komunës, sportistëve dhe ekonomisë, mund t’i japim dimension zhvillimor dhe impulse më të mëdha për më shumë kupa e suksese. Me këtë rast, e falënderoj edhe kompaninë RC Cola, e cila e ka mbështetur jashtëzakonisht shumë klubin e basketbollit Drita”, ka shtuar Haziri.

Kurse, kryetari i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, e ka uruar Hazirin për suksesin RC Cola Drita dhe e ka falënderuar për mbështetjen e madhe ndaj këtij klubi.

“Është fat i mirë që në Gjilan klubet e kanë përkrahjen e kryetarit Haziri, ndërsa edhe prej Federatës së Basketbollit ndihma nuk do të mungojë. Unë kam ardhur që t’ju uroj z. Kryetar dhe t’ju falënderoj për përkrahjen që i keni dhënë Dritës për të arritur deri këtu”, tha Fetahu.