Basketboll: “Liga Unike” fillon garat më 6 prill

Pas një periudhe të gjatë kohore që nga nënshkrimi i marrëveshjes për inicimin e ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë në basketboll, “Liga Unike” do t`i fillojë garat më datë 6 prill 2021, ka njoftuar Ilir Trebicka, kryetar i Ligës.

‘Gara do të zhvillohet në format të “Final 8” me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec me datë 6 dhe 7 Prill 2021; ndërsa ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës Unike do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës.

Çiftet e ndeshjeve të para do të dihen sot pas hedhjes së shortit. Për shkak të gjendjes me Covid19, hedhja e shortit do të bëhet në ambientet e Ligës Unike’, ka thënë Trebicka.

‘Për mua, stafin e Ligës Unike dhe stafin e Federatave Nacionale është nder dhe privilegj i veçantë jetësimi i ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe uroj që kjo garë të ketë fillim të mbarë dhe të përçojë mesazh unifikues në të gjithë spektrin sportdashës në Shqipëri dhe Kosovë”, ka thënë Trebicka. (foto arkiv)