Ardita Sinani flet pas marrjes së detyrës si Këshilltare për Luginë

Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka folur pas marrjes së pozitës së re, përkatësisht emërimit si Këshilltare për Luginë.

Duke komentuar emërimin në pozitën e Këshilltares, për Gazetën Insajderi, Sinani u shpreh se më e rëndësishmja është që tashmë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë adresë të posaçme institucionale në Republikën e Kosovës.

“Është e rëndësishme që tashmë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka adresë të posaçme institucionale në Republikën e Kosovës. Pas buxhetimit të Luginës së Preshevës nga Republika e Kosovës, funksionalizimi i këtij mekanizimi qeveritar të Republikës së Kosovës fuqizon institucionalizimin e trajtimit të Luginës së Preshevës edhe si punë sistematike shtetërore” – tha ajo.

Derisa, nënkryetarja e Partisë për Veprim Demokratik shtoi se e rëndësishme për të mbetet që të funksionalizohen dhe zhvillohen instuticionet, përtej asaj që emrat e këtyre të fundit mund të ndryshojnë.

“Emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen, me rëndësi është të funksionalizohen dhe zhvillohen institucionet. Pra, që tashmë kemi zyre si Luginë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Të punojmë bashkërisht për ta zhvilluar”.

Ndër tjerash, Sinani potencoi se krijimi dhe funksionalizimi i infrastrukturës institucionale në shërbim të bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufijve administrativ është praktikë e shteteve demokratike, duke marrë shembull edhe Beogradin që ka buxhet dhe planprogram për Luginën e Preshevës dhe madje edhe për serbët e Kosovës.

“Krijimi dhe funksionalizimi i infrastukturës institucionale në shërbim të bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufijve administriv është praktikë e shteteve demokratike; evropiane dhe përtej. Ka 20 vjet që Beogradi e ka zyrë, buxhet dhe plan e program për Luginën e Preshevës, madje edhe për Kosovën (serbët e Kosovës)” – tha ajo.

Ajo tutje nënvizoi se janë në shërbim të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, pa përjashtim.

“Zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është adresa zyrtare e Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës. Jemi në shërbim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pa përjashtim. Lugina e Preshevës ka probleme të shumta për shkak të diskriminimit dhe shtypjes sistematike. Rrjedhimisht bashkërendimi i Republikës së Kosovës me Luginën e Preshevës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Të ecim tutje për t‘i përmirësuar dhe përparuar të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve në Luginën e Preshevës” – përfundoi Sinani.

Ndryshe, marrja e postit të ri si Këshilltare për Luginë e Ardita Sinanit u kundërshtua e u kritikua zëshëm nga kryetari aktual i Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili vendimin e Kurtit e konsideroi si vendim që e përçan Luginën.

Megjithatë, ai e pa si të rëndësishme hapen e Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.