Arkitekti shqiptar synon t’i mbledhë 4 milionë euro për fëmijët me autizëm
Lulzim Bexheti është arkitekt i suksesshëm i cili jeton dhe vepron prej kohësh në Helsinki të Finlandës.
Gjilanasi, kreativitetin prej artisti, e ka nxjerrë në sipërfaqe duke realizuar 150 portrete për personalitete të ndryshme, në këtë kohën e karantinës, derisa pritet t’i realizojë 400 sosh, shkruan Mediafokus.info.
U ka bërë portrete personaliteteve shqiptare që jetojnë në Kosovë dhe në perëndim, si bie fjala, yllit botëror të muzikës, Rita Ora.
Arkitekti Lulzim Bexheti, në një bisedë ekskluzive për portalin Mediafokus.info, ka deklaruar se ka nisur edhe iniciativën e tij për themelimin e fondacionit Vjosa Charity, me seli në Helsinki të Finlandës, për mbështetje ndaj fëmijëve me autizëm në Kosovë.
Por, si nisi ideja për portrete?
“Korona më zuri në Poloni, derisa isha në aktivitet biznesor dhe nuk mujta me shku n’shpi. Më 20 mars, derisa po komunikoja me shoqen time nga Prishtina, Bukra Bajrami, ia bëra një portret, i pëlqeu dhe e publikoi në Facebook. Pastaj, ma kërkuan disa shokë të mi, ua bëra dhe atyre. Portretet patën jehonë pasi ia bëra familjes së Rita Orës, meqë babanë e saj e kam mik”, tregon Bexheti për Mediafokus.info.
Biznesmeni nga Gjilani tashmë është i njohur në mbarë Europën me projektimin dhe ndërtimin e shtëpive të së ardhmes prej druri, në kuadër të kompanisë së tij “BVG Housing”, me seli në Helsinki.
Shtëpinë e parë “Vjosa 65 H”, ai e ka ndërtuar krejtësisht nga druri për 33 ditë, në vitin e kaluar, në madhësinë 65 metra katrorë.
Të njëjten e ka bartur me anë të një kamioni, nga Çekia për në Helsinki, ku është prezantuar në ekspozitën “Finland Housing Fair” që është mbajtur gjatë vitit 2019.
Fondacioni Vjosa Charity
Arkitekti shqiptar ka njoftuar se pas këtyre portreteve, ka nis iniciativën për themelimin e Fondacionit Vjosa Charity, për mbështetje ndaj fëmijëve me autizëm në Kosovë.
Ai është në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjatë javëve në vazhdim, pritet të organizohet një gala mbrëmje humanitare në Prishtinë, derisa do të nxjerren në ankand 400 portretet e personaliteteve kosovare dhe botërore.
Ndërkohë, fondacionit të tij i është bashkuar edhe aktorja hollywoodiane, Alea Mehaj, 8-vjecarja e cila është Miss Bota për fëmijë.
Ajo do të jetë ambasadore e vullnetit të mirë e Fondacionit Vjosa Charity.
“E kam ba miken më të mirë. Bashkë me të dhe me të tjerët synojmë të bëjmë mrekulli. Më e pakta që mund të bëjmë është shitja e portreteve, ndërkaq maksimumi që mund të bëjmë është t’i ndërtojmë 30 shtëpi modulare, të gjitha prej druri, për fëmijët me autizëm. Kosto do të jetë afro 4 milionë euro”, thotë ai.
Nëse arrihet të mblidhen kaq fonde, shtëpitë do të ideohen, dizajnohen, projektohen dhe realizohen nga kompania e familjes Bexheti “BVG Housing”, në Helsinki.
“Kam kontaktuar edhe me Shoqatën e personave me autizëm në Finlandë, për të na dhënë instruksionet e tyre se si të ndërtohen këto shtëpi. Ideja është që këto shtëpi do të ndikojnë që fëmijët me autizëm të pavarësohen kur ta arrijnë moshën madhore. Por, ato mund të përdoren edhe në formë të shkollave, për parashkollor dhe ciklet tjera”, ka thënë Bexheti për Mediafokus.info.
Lutfi Haziri ndihet krenar me familjen Bexheti

Për këtë inicitiavë, kryetari i Gjilanit, e ka përgëzuar dhe falënderuar arkitektin e suksesshëm.
Haziri ka thënë se është krenar me iniciativën e tij dhe me sukseset bizneesore të arritura në Finlandë.
“Kjo është një iniciativë e jashtëzakonshme për ta themeluar këtë fondacion në mbështetje ndaj fëmijëve me autizëm. E mirëpres, e përgëzoj dhe e falënderoj shumë. I ftoj të gjithë që ta mbështesin këtë fondacion, për t’iu dalë ndihmë kësaj kategorie të shoqërisë. Ne jemi krenarë me këtë fondacion të Lulzmit, sikurse edhe me biznesin e suksesshëm të tij në Finlandë, i vlerësuar në nivel europian dhe më gjerë”, ka thënë Haziri, në një prononcim për Mediafokus.info.
Përndryshe, Lulzim Bexheti është djali i Fahredin Bexhetit, i cili ka qenë kryetar i suksesshëm i Gjilanit në kohët e vështira./Mediafokus.info/
Ja disa nga portretet e arkitetit Lulzim Bexheti:






































