Arrestohet i dyshuari për dy grabitje të armatosura në Gjilan

Policia e Kosovës në Gjilan ka arrestuar personin i cili dyshohet se dje më 11.10.2021, në një lokal të këmbimit të valutave ka kryer veprën penale “Grabitje”.

I njëjti nën kërcënim të armës ka arritur të marrë një sasi të konsiderueshme të hollash dhe po ashtu ka shtënë në drejtim të punëtores e cila ka pësuar lëndime trupore si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri.

Po sot më 12.10.2021, përsëri policia u lajmërua për një grabitje me armë në një lokal në Gjilan  ku një i dyshuar, nën kërcënim të armës, pasi ka shtënë dy herë në ajër, ka arritur që t’i marrë një sasi të konsiderueshme të hollash nga kasa e lokalit dhe fatmirësisht askush nuk është lënduar.

Policia e Kosovës, pas një pune mirë të organizuar operative, ka arritur të arrestojë të dyshuarin, mashkull shtetas i Kosovës L. Z. (2003) me banim në Gjilan i cili dyshohet të jetë i përfshirë në dy rastet e grabitjes.

Ai pas arrestimit është sjellë në lokalet e stacionit policor në Gjilan, ku është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, në prani të avokatëve mbrojtës.

Si provë materiale i është gjetur arma e përdorur në këto vepra penale si dhe një shumë të hollash që janë grabitur të cilat u janë kthyer pronarëve legjitim.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë.

Rastet janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës, konkretisht hetimet rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, thuhet në njoftimin e policisë.