Arrestohet një 46-vjeçar, e kishte mbushur furgonin plot emrigrantë

Një 46-vjeçar u arrestua nga policia pasi u kap duke transportuar 56 emigrantë të paligjshëm me furgon ndërsa u shpall në kërkim pronari i automjetit.

Në prangat e policisë përfundoi Altin Melani 46-vjeç ndërsa në kërkim u shpall pronari i furgonit Elvis Hoxha, 36-vjeç.

Sipas njoftimit të policisë, 46-vjeçari u kap në dalje të qytetit të Pogradecit ku në furgonin tip “Benz” me të cilin udhëtonte, u kapën 56 emigrantë të paligjshëm.

Ata ishin nisur drejt Tiranës teksa mësohet se Melani u kishte premtuar emigrantëve transportimin e tyre drejt vendeve të BE-së kundrejt pagesës.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, Shërbimet për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 46 vjeç, banues në Durrës dhe u shpall në kërkim shtetasi E. H., 36 vjeç, banues në fshatin Hotolisht, Librazhd.

Shërbimet e policisë rrugore, kanë kapur në dalje të qytetit të Pogradecit, shtetasin A. M., duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip furgon të markës “Benz” në pronësi të shtetasit E. H., 56 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. (foto arkiv)