Arrestohet një person pas aksidentit me katër viktima në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se sot rreth orës 15:30, në fshatin Koshare- komuna Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku mes dy veturave, ku sipas informatave të para, kanë humbur jetën katër persona, ndërsa, një person tjetër është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Për aksidentin me fatalitet është arrestuar një person dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48-orë. Ai dyshohet për vepren penale “rrezikimi i trafikut publik”.

“Lidhur me rastin në fjalë, në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha Njësitet e Policisë, ekipet e mjekësisë ligjore, eksperti i komunikacionit dhe Prokurori i Shtetit, ku, me urdhër të tij, është ndaluar një person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, njofton prokuroria.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

Pas aksidentit me katër viktima, ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve për këtë humbje të madhe.