Ars Clubi ‘Beqir Musliu” e përmbyll me sukses edhe një vit letrar

Njëri ndër asociacionet më vepruese letrare në Kosovë, Ars Clubi “Beqir Musliu” në Gjilan, me manifestimin tradicional kulturor “Vjeshta letrare e Gjilanit”, një manifestim ky  maratonë, ka përmbyllur veprimtaritë letrare për vitin 2019, veprimtari këto të bujshme dhe të shumëllojshme.

Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Clubit, thotë se ky asociacion alternativ shkrimtarësh ka realizuar me sukses këto veprimtari kulturore nga fusha e letërsisë:

Pena e Flakës: pjesë e pandashme e manifestimit kombëtar “Flaka e Janarit” që mbahet në fund të çdo janari dhe kulmon me shpalljen e rezultateve të konkursit anonim letrar, me organizimin e Orës së madhe letrare dhe dhënien e Çmimit letrar “Pena e Flakës”, poezisë më të mirë të manifestimit si dhe me botimin e krijimeve të përzgjedhura letrare, atyre të shpërblyera si dhe të propozuara për botim, në revistën letrare AGMIA.

E gjithë kjo veprimtari e bujshme dhe gjithëpërfshirëse brenda hapësirës shqiptare, është zhvilluar, vlerësuar e shpërfaqur në publik, më 31 janar 2019 në Bibliotekën e re të Gjilanit, para një auditori të shumtë e të zgjedhur.

Tavolina letrare e së shtunës: ka qenë risi në veprimtaritë e deritashme të këtij asociacioni shkrimtarësh dhe është mbajtur nga fundi i muajit shkurt e përgjatë gjithë stinës së pranverës, ku janë vlerësuar kryesisht botimet e reja të këtij viti.

Në kafiterinë “Te Fontana”, në qendër të Gjilanit, aty ku nis Sheshi i ri i këtij qyteti, prej krijuesve dhe kritikëve letrarë, janë paraqitur e vlerësuar dhjetë botime të reja letrare të autorëve të ndryshëm, jo vetëm nga Gjilani, po edhe nga Prishtina, Kamenica, Klina e Ferizaj.

Muza e Agimit: pjesë letrare e Manifestimit përkushtues kulturor për heroin e kombit Agim Ramadani “Ditët e Agimit”, edhe këtë vit është përgatitur e realizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, në fshatin e lindjes së heroit, në Zhegër, përkatësisht në shkollën e mesme të ulët “Agim Ramadani”, më 2 maj, si rëndom, në ditëlindjen e këtij poeti, piktori e strategu ushtarak dhe, njëri nga figurat më të shquara të luftës për çlirimin e Kosovës.

Çmimin e orës së madhe letrare “Muza e Agimit”, këtë herë e meritoi dhe e mori poetja Sadete Tërnava – Osmani.

Çmimi letrar “Beqir Musliu” ka qenë sfida e radhës me të cilën është ballafaquar Ars Clubi “Beqir Musliu”, si iniciues dhe kontribuues në themelimin e këtij Çmimi nga komuna e Gjilanit, përkatësisht Zyra e Kryetarit të komunës, që edhe e jep për çdo vit.

Këtë vit, fitues i këtij Çmimi ishte shkrimtarja Edi Shukriu nga Prishtina, ndërsa Ars Clubi “Beqir Musliu” organizoi nominimet letrare, propozoi jurinë të cilën e emëroi Zyra e Kryetarit si dhe përgatiti ceremoninë e dhënies së këtij çmimi në vigjilje të ditës së çlirimit të Gjilanit, më 14 qershor 2019.

Trekëndëshi poetik i paqes: një manifestim rajonal i poezisë që tubon shkrimtarët nga pesë shtete të Ballkanit, edhe këtë vit u mbajt për herë të nëntë në Grykën e Karadakut, si përkushtim për 12 qershorin – Ditën e lirisë së Kosovës, duke afirmuar paqen përmes poezisë dhe afrinë e popujve të Ballkanit përmes poetëve, pikërisht në një zonë që lidhë tri shtete të kësaj pjese të Ballkanit.

Në manifestim morën pjesë mbi 50 shkrimtarë, ndërsa lexuan 20 prej tyre. E, njëkohësisht u përurua edhe edicioni poetik i këtij manifestimi, me poezitë e poetëve pjesëmarrës.

E tërë veprimtaria letrare u mbajt në shkollën e mesme të ulët “Bajram Curri” të Shurdhanit.

Manifestimi u ndihmua pjesërisht nga MKRS-ja si dhe boksieri i mirënjohur shqiptar i peshave të rënda, Erzen Rrustemi.

Vjeshta letrare e Gjilanit: këtë vit u mbajt për herë të dhjetë dhe, paraqiti prurjet më të reja letrare të krahinës së Anamoravës e më gjerë, po shpalosi edhe portrete shkrimtarësh, si bie fjala, poetin martir nga Kukësi, Havzi Nelën, shkrimtarin nga Kamenica, Nexhat Rexhën dhe poeten dhe romansieren gjilanase, Linditë Ramushi Dushku, e cila prej vitesh jeton e vepron në Tiranë.

Gjatë dy muajve e gjysmë të këtij Manifestimi u paraqitën edhe veprat e reja të Rahim Azemit nga Gjilani e të Biser Mehmetit nga Ferizaj.

Ars Clubi “Beqir Musliu, gjatë vitit 2019, ka organizuar edhe paraqitjen e veprave të reja, botuar nga Fadil Kajtazi, “Liria për lirinë”, vepër publicistike, si dhe tregimet e shkrimtarit francez Jean Iv Karlenit “Tregimet e Kosovës”, veprimtari këto mjaftë masive, mbajtur në Bibliotekën e re të qytetit, përkatësisht në sallën e Kuvendit të komunës së Gjilanit.

Po, njëkohësisht ka përgatitur dhe botuar, edhe tre numra të revistës letrare AGMIA, prej të cilëve, dy numra i ka mbështetur financiarisht MKRS e një numër, komuna e Gjilanit, në kuadër të Manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit”.

Anëtarët e këtij asociacioni shkrimtarësh, njëkohësisht kanë marrë pjesë edhe nëpër shumë manifestime letrare brenda e jashtë Kosovës, ku kanë qenë të ftuar e ku njëkohësisht edhe janë shpërblyer, si Sadete Tërnava – Osmani, Xhevat Latifi, Selvete Abdullahu e Nexhat Rexha./MediaFokus/