ATK tejkalon pritshmëritë, inkason 11.7 milionë euro më shumë se plani

Vazhdon të rritet performanca e të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës, ku vetëm për muajt janar-mars 2021 nga të hyrat e rregullta janë mbledhur 134.7 milionë euro.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka një rritje për 16.2 milionë euro, ndërsa në raport me planin, janë mbledhur 11.7 milionë euro më shumë të hyra apo 9.6% më shumë se plani.

Rritja e të hyrave është rezultat i përkushtimit dhe punës profesionale të stafit të ATK-së, avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare. Po ashtu, rol të rëndësishëm ka edhe pjesa e legjislacionit tatimor, përmes së cilës bëhen përpjekje të vazhdueshme që të krijohet një infrastrukturë e mirë ligjore.

ATK u bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve që të vazhdojnë t’i kryejnë obligimet e tyre tatimore, pasi që vetëm në këtë mënyrë vendi mund të ketë stabilitet fiskal.