Avokati i Veselit ironizon me prokurorinë: “Nxirre kamxhikun” i thotë gjykatësit

Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një debat të zjarrtë në seancën e sotme paragjyqësore me ish-krerët e UÇK-së, shkaku i zvarritjes së dorëzimit të dosjes paragjyqësore nga Prokuroria.

“Prokuroria ka humbur nga sytë objektivin kryesor, që është t’i jepet mundësia mbrojtjes ta kuptojë çështjen”, ka thënë Emmerson.

Në kuptimin figurativ, Emmerson ka thënë se gjykatësi Nicolas Guillou “duhet ta nxjerrë kamxhikun” për të bërë që Prokruroia ta kryejë punën e saj.

Ai tha se përderisa s’e kanë në dorë çështjen, s’mund të bëjnë asgjë për t’u mbrojtur.

“Kur të kemi dosjen në dorë, ne mund të themi konkretisht se çfarë mund të bëjmë ne lidhur me këtë”, tha Emmerson. “Do të ishte mirë që të na jepni mundësinë të planifikojmë një datë për gjykimin. Pa u bërë kjo, ne po presin dhe nuk po bëjmë atë që duhet”, shtoi ai.

Në kundërpërgjigjje, kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith tha se Emmerson po përdor gjuhë kërcënuese.

“Gjuha inflamatore po përdoret dhe kërcënimet. Dy herë Z. Emmerson e ka bërë sot këtë. Gjykata duhet t’i shikojë faktet dhe ligjin”, tha Smith.

Paraprakisht, një prokurore e ZPS-së tha se “Është e pasaktë që Prokuroria nuk e parashtruar çështjen e saj”. Ajo tha se kjo është bërë në aktakuzë.

“Lidhur me kohën se kur do të dorëzohet dosja paraprake, do ta trajtoj këtë çështje kur të jetë pikë e rendit të ditës”, tha ajo.