‘‘Mjaftë më, duam të na ktheni dinjitetin’’, profesionistët shëndetësorë i drejtohen Qeverisë me disa kërkesa, paralajmërojnë protestë
Një iniciativë për ‘’rikthimin e dinjitetit të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë’’ u është drejtuar institucioneve të vendit me tetë kërkesa konkrete, duke kërkuar përgjigje deri më 6 nëntor.
Iniciatori i kësaj nisme u ka bërë thirrje studentëve të mjekësisë, të diplomuarve, mjekëve në stazh, profesionistëve të licencuar, të papunësuarve dhe atyre që janë të punësuar, që ta përkrahin iniciativën dhe ta shpërndajnë atë në rrjetet sociale.
Sipas tij, profesionistët e shëndetësisë po përballen me pasiguri për të ardhmen, pavarësisht viteve të gjata të studimit dhe përgatitjes profesionale.
Ai ka vlerësuar se pas viteve të sakrificës dhe përgatitjes për t’i shërbyer vendit, profesionistët shëndetësorë nuk duhet të mbeten peng i pasigurisë dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Sipas tij, mungesa e mundësive për punësim dhe zhvillim profesional po i shtyn profesionistët që perspektivën e tyre ta kërkojnë jashtë Kosovës.
Institucioneve u është dhënë afat deri më 6 nëntor për t’iu përgjigjur kërkesave, ndërsa thirrja përfundon me mesazhin: “Nuk heshtim më. Nuk dorëzohemi më. Bashkë për dinjitetin tonë!”
Postimi i plotë:
MJAFTË MË!
Duam të na ktheni dinjitetin!
Të gjithë kolegëve të Mjekësisë – studentë, të diplomuar, në stazh, të licensuar, të papunësuar apo të punësuar – ju ftoj për vëmendje dhe përkrahje të kësaj iniciative, poashtu duke e shpërndarë në rrjetet sociale të juajat!
Sot, iu drejtova institucioneve të vendit me 8 kërkesa konkrete për rikthimin e dinjitetit të profesionistëve shëndetësorë, duke kërkuar përgjigje deri më 6 nëntor. Kërkesat i gjeni në fotografitë më poshtë.
Mjaft më me këtë realitet shtypës!
7 vite studime, deri në licencim, dhe asnjë siguri për të ardhmen!
🚩Me titullin e doktorit, por me stazh pa pagesë.
🚩I licencuar, por i papunësuar.
🚩I papunësuar dhe pa perspektivë për specializim.
Pas vitesh të tëra sakrifice për vendin tonë, e ardhmja jonë nuk mund të mbetet peng i pasigurisë dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Ndërkohë, profesionistët tanë po detyrohen ta kërkojnë jashtë vendit mundësinë që meritojnë ta kenë këtu, në Kosovë.
Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë dinjitet, punësim dhe të ardhme të sigurt!
Kjo iniciativë nuk duhet të jetë vetëm e imja, por e të gjithë neve. Prandaj, ju ftoj ta përkrahni dhe ta shpërndani këtë mesazh.
Presim deri me 6 Nëntor!
Nuk heshtim më. Nuk dorëzohemi më. Bashkë për dinjitetin tonë!

