Kush është dr. Ukshin Ismaili që u emërua u.d. drejtor i Spitalit të Gjilanit?

Dr. Ukshin Ismaili është rikthyer në krye të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, raporton gazeta online Mediafokus.info.

Këtë pozitë Ismaili e kishte ushtruar për shtatë vjet (2000-2007), derisa u emërua më 6 prill u.d. i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm, për ta marrë pozitën zyrtarisht sot.

Por, kush është njeriu që do të jetë shef i 500 profesionistëve shëndetësorë, 111 prej të cilëve specialistë?

Ukshin Ismaili ka diplomuar në mjekësi të përgjithshme në vitin 1981, në Universitetin e Prishtinës.

Për dy vjet e gjysmë ka punuar si doktor i përgjithshëm, për ta nisur specializimin për anesteziolog, në vitin 1984 në Zagreb, të cilin e përfundon në vitin 1988, duke u bërë anesteziologu i parë në regjion të Gjilanit dhe i pesti në nivel të Kosovës, shkruan Mediafokus.info.

Nga ky vit e deri më sot e ka ushtruar profesionin e anesteziologut dhe reanimatorit.

Pesë ditë pas bombardimeve të NATO’s, regjimi i kohës ia ndalon qasjen në Spitalin e Gjilanit, në të cilin u kthye menjëherë pas luftës.

Në vitin 2000 u emërua drejtor i Spitalit të Gjilanit, pozitë të cilën e ushtroi me sukses deri në vitin 2007.

Njihet si mjeku që i bie hise të merret me situata emergjente.

Në vitin 2002 ishte anëtar i Komitetit për menaxhimin e situatës pas tërmetit, ndërkaq më 13 mars 2020, emërohet nga Lutfi Haziri anëtar i Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në sa operacione e kreu punën e anesteziologut?

Ai nuk ka hezituar të jap ndihmën edhe për ushtarët e UÇK’së dhe ata të UÇPMB’së, sikur që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimet e nxënësve pas helmimeve në fillim vitet 90-ta.

Nga viti 2012 zgjidhet shef i shërbimit të Anesteziologjisë dhe Reanimacionit, në Spitalin e Përgjithshëm, derisa nga viti 2018 e deri më 6 prill 2021 e ka ushtruar pozitën e drejtorit klinik aty.

Gjatë karrierës 38-vjeçare, dr. Ukshin Ismaili e kreu punën e anesteziologut në, besoni ose jo, mbi 81 mijë operacione.

Enkas për Mediafokus.info, e tregon një fakt për të cilin krenohet.

“Jam shumë i lumtur që asnjë pacient ku kam marrë pjesë unë si anesteziolog, nuk ka ndërruar jetë gjatë operacionit. Bëhet fjalë për më shumë se 81 mijë operacione që i kam të regjistruara”, thotë dr. Ukshin Ismaili për Mediafokus.info.

Ndryshe, Ukshin Ismaili u emërua më 6 prill 2021 u.d. drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit./Mediafokus.info/

NOTË: Ndalohet kopjimi i këtij shkrimi apo pjesëve të tij