Shtetasit shqiptar që deshti ta korruptojë policin e Kosovës i caktohet masa e paraburgimit

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë të pandehurit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale: dhënia e ryshfetit.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri E.R., në mënyrë të drejtpërdrejt i jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar, në mënyrë që të mos veproj në pajtim me detyrat e tij zyrtare.

Më datë 06 prill, në orët e pasdite, duke kaluar si pasagjer me automjet në pikën kufitare Shqipëri – Kosovë, në Vërmicë, pasi ndalohet nga zyrtari policor, i pandehuri E.R., në lejen e qarkullimit të automjetit të tij e kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej pesëdhjetë (50) euro dhe kur është pyetur se pse është kartëmonedha e vendosur aty, në atë moment ka reaguar duke i thënë se “këto të holla i kam futur unë për ju, për arsye se kam ndalesë hyrje në Kosovë dhe për të më mundësuar të kaloj kufirin.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., duke marrë parasysh faktin se i pandehuri është shtetas i Shqipërisë dhe me lënien në liri i njëjti mund të arratiset dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë gjatë fazës së hetimit dhe në faza tjera.

Gjithashtu Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurit, pasi që i njëjti është recidivist dhe kryerës i veprave tjera edhe në të shkuarën dhe për këtë arsye e ka pasur të ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Gjykatës.