Avokati Rudari: Arrestimi i policëve u bë në mënyrë mashtruese

Arrestimi i 8 zyrtarëve policorë në Kosovë, të premten, sipas avokatit Naim Rudari, ishte i padrejtë dhe u bë në mënyrë mashtruese.

Rudari, i cili përfaqëson njërin nga të arrestuarit, në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, e ka cilësuar “PASIGURI JURIDIKE” rastin e arrestimit të 8 zyrtarëve policorë.

Rudari tha se arrestimi i tyre u bë në mënyrë mashtruese.

“Dje me datën 05/03/2021 disa polic u ftuan të paraqiten në punë në ora 06:00 të mëngjesit kinse për një operacion policor, kur ata u paraqitën në stacion u arrestuan ashtu siç ishin të uniformur kinse për disa raste të ndodhura në nëntor dhe dhjetor të vitit 2019. Me rastin e arrestimit të policëve në mënyrë mashtruese, zyrtarisht u tha nga zyrtarët më të lartë të institucioneve kompetente se ata ngarkohen me shumë vepra penale ndër të cilat edhe për veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarje dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”, tha Rudari.

Tutje Rudari deklaroi se në seancën dëgjimore në kërkesën për caktimin e paraburgimit asnjëri nga zyrtarët policor nuk ngarkohej me veprën penale lidhur me narkotikë e kryesisht zyrtarët policor janë ngarkuar tani me veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

“Për ta shtjelluar më mirë përdorim i forcës nga zyrtarët policor për ta vlerësuar a ka pasur tejkalim të përdorimit të forcës apo jo, ndërsa vepra penale e narkotikëve mbeti vetëm në konferencë”, shtoi ai, njofton Telegrafi.

Sipas tij arrestim është i padrejtë dhe pa bazë ligjore e në kundërshtim me nenin 162 të KPPK-së, e pa arsyeshme, e panevojshme dhe e pamoralshme e cila nuk mund të quhet ndryshe veç se pasiguri juridike.

“Ne paraqitëm vërejtjet tona në gjykatë se, cila ishte arsyeja e atij spektakli që për dyshimet e vitit 2019 kur ishin përdoruar pa aktvendim për fillimin e hetimeve edhe masat e fshehta, të ftohen zyrtarët policor për operacion dhe atyre tu bëhet kurthi i arrestimit”, shkroi tutje.

“Ndonëse u arrestuan padrejtësisht, ata u ndaluan dhe disa nga ata në mesin e të cilëve edhe njëri që unë e përfaqësoj, u dërguan në paraburgim duke e shtrembëruar edhe më shumë drejtësinë ata që janë për të bërë drejtësi, PA KOMENT”, tha në fund Rudari.