“Babai ishte çoban, familja e varfër” – rrëfimi i emocional i gazetarit për jetën

Gazetari dhe zëdhënësi i FK Egnatia, Xhevdet Zeka, ka ndarë një rrëfim emocional në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN për fëmijërinë, vështirësitë familjare dhe sfidat që hasi gjatë rrugëtimit të tij arsimor e profesional.

Duke kujtuar vitet e para të jetës, Zeka tregoi se vinte nga një familje e thjeshtë me origjinë nga Kuçi dhe se ishte fëmija i shtatë i familjes.

Ai theksoi se që në moshë të vogël kishte pasion të veçantë për librat dhe mësimet.

Gazetari ndalet te pengesat që hasi për shkak të origjinës dhe kushteve ekonomike të familjes, por edhe te mbështetja që mori nga figura të ndryshme të arsimit, të cilët, sipas tij, luajtën rol vendimtar në vazhdimin e studimeve dhe formimin e tij profesional.

“Jam lindur nga prindër punëtorë, me prejardhje nga Kuçi. Kam qenë fëmija i 7-të, i fundit në familje. Kam qenë fëmijë jashtë rreshtit dhe që lexoja jashtë mase. Motra që 5 vjeç më vinte të lexoja libra. Në mësime isha shumë mirë, merrja vetëm 10-ta, asnjë notë tjetër. Më çuan për anglisht në shkollë të mesme të gjuhëve të huaja, ma ndërruan se isha nga fshati, babai bari…E vetmja që më mbrojti ishte Kozara Kati, e cila më vonë u internua në fshatin tim. Ajo tha lëreni në anglisht, por ata më kthyen në rusisht, e lashë shkollën, s’më pëlqente rusishtja. Gjergj Zaharia më bëri profesionist të gjuhës ruse. Kam reaguar hapur që në fëmijëri për gjërat që s’më pëlqenin. Mbarova universitetin, kisha probleme në familje, prindër të varfër, pa pushtet politike dhe disa vdekje të rënda. Mua më çuan në Pukë, njerëz të mrekullueshëm pukjanët dhe tropojanët. Doja t’ua shpërbleja familjes. Profesor Kreshnik Tartari dhe Gim Fagu më kanë shpëtuar nga përjashtimi nga shkolla. E njëjta gjë ndodhi në universitet”. (A2 Televizion)