Babë e bir në një çeli burgu
Shqiptarët kanë bërë shumë vite burg nëpër kazamatet jugosllave e serbe, por rasti i Ramiz Cërnicës dhe Raif Halimit nga Cërnica e Gjilanit, është i veçantë në këtë histori, sepse atyre u ka rënë të vuajnë një pjesë të dënimit në një dhomë.
Autoritetet e burgut në Mitrovicë të Sremit, duke mos e ditur lidhjen e tyre, i kishin vendosur në një çeli babë e bir, shkruan Mediafokus.info
Ramiz Cërnica është burri me plis të bardhë që i tha “jo” bashkimit me Serbinë. Për shkak të këtij qëndrimi, ai dhe familjarët u dënuan me njëqind vite burgim.
Ramiz Cernica inkuadrohet në Lëvizjen Kombëtare, në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar.
Vazhdimisht kundërshtoi padrejtësitë ndaj popullit shqiptar, duke luftuar për të drejta kombëtare.
Me ngulm kundërshtonte kolonizimin e Kosovës si dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi.
Për shkak të qëndrimeve të tij kombëtare, burgoset nga pushteti serb, vazhdon Mediafokus.info.
Gjatë viteve 1941-43, kur rajoni i Gjilanit ishte në autoritetin Italian, ai ushtroi detyrën e kryetarit të Parteshit.
Në vjeshtën e vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë, shkoi si delegat në formimin e Asamblesë së Qeverisë së Shtetit Shqiptar në Tiranë, që ishte një besim i madh ndaj tij.
Udhëheqja e LNÇ-së, Ramiz Cernicës i afroi mundësinë që të marrë pjesë në Konferencën e Bujanit, por ky nuk e pranoi ofertën.
Pas hyrjes së brigadave partizane në Gjilan, më 16 nëntor 1944, Ramizi burgoset dy herë, por shpejt lirohet.
Në korrik të vitit 1945, Ramizi si delegat i rrethit të Gjilanit mori pjesë në Konferencën e Prizrenit, ku edhe formalisht po zyrtarizohej aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë.
Ramizi guxoi që haptas të deklarojë se është kundër këtij aneksimi, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.
Në Konferencën e Prizrenit, Ramizi, pasi dëgjoi nga referati hyrës se partia kishte vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë, pa e pyetur farë popullin e saj, u ngrit dhe shprehu mospajtimin e tij.
“Për ne Serbia është njerkë, kurse Shqipëria është nënë. Prandaj po them, me Serbinë –Jo, me Shqipërinë – Po”, tha Ramizi.
Me t`u kthyer në Gjilan, menjëherë e burgosën dhe e dënuan me 20 vjet burg të rëndë.
Rrugën e babait e ndoqi edhe i biri Raifi. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, Gjykata Ushtarake e Shtabit Operativ në Prishtinë e dënoi atë me vdekje, dënim ky që më vonë iu zëvendësua me 20 vjet burg të rëndë.
Raifin e dënuan për arsye se si komisar i Batalionit Partizan të Rinisë në Drenicë, me tërë batalionin e vet kishte kaluar në anën e Shaban Polluzhës dhe se kishte organizuar likuidimin e Shtabit të Brigadës në Prekaz.
Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, atij i bie të takohet në burg me babanë Ramizin.
Kur autoritetet e burgut e kuptuan lidhjen e tyre, reaguan menjëherë dhe i ndanë. Në këtë burg, në Mitrovicë të Sremit, i kaloi 18 vite.
Raifi nuk ishte nga ata njerëz që qëndrojnë duarkryq në burg dhe i kalojnë ditët e vitet duke pritur të dalin nga andej.
Ai gjeti mënyra që të punojë për kombin e tij edhe në burg, ku shkroi librin “Historia jonë kombëtare”.
Për fat të keq, hetohet nga policia e burgut dhe dorëshkrimi i merret. Për këtë dorëshkrim, Raif Halimi dënohet me 8 vjet burgim në vetmi.
Përsëri, nuk qëndroi duarkryq. Në kushte tepër të rënda, ai hartoi Fjalorin e parë shqip-serbokroatisht.
Pra, me pranga në duar shkroi histori kombëtare dhe fjalor. Fjalorin e shkroi nëpër qoshe të gazetave, të cilat i ruante në një thes. /Mediafokus.info

