BE ia dërgon draftin e Asociacionit opozitës

Partitë opozitare parlamentare kanë konfirmuar se kanë pranuar draftin e ri për Asociacionin nga Bashkimi Europian.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Express se kanë pranuar zyrtarisht një draft në gjuhën angleze.

“Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, tha zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Gjithashtu, edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, konfirmoi për Express të njëjtën.

“E kemi pranuar dje zyrtarisht”, tha shkurt ajo.

Ndërkaq, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, tha se komentet nga kjo parti do të bëhen pas diskutimit brenda organeve të partisë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pranuar verzionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Të njëjtin i ka shpërndarë gjithë anëtarëve të kryesisë së Aleancës. Është kërkuar nga anëtarët e kryesisë t’i bëjnë komentet e tyre lidhur me draft-statutin dhe të njëjtat do të diskutohen në mbledhjen e radhës së kryesisë së Aleancës, të thirrur më datë 7 dhjetor, në ora 17:00. Pas komenteve të anëtarëve të kryesisë, AAK do të dalë me qëndrim publik lidhur me draft-statutin e Asociacionit. Deri në atë kohë nuk do të ketë prononcime të tjera për këtë temë”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti tha se draftin për Asociacionin ia ka prezantuar vetëm presidentes së vendit, Vjosa Osmani, meqë ndërmjetësit kanë kërkuar konfidencialitet të plotë për procesin.

Opozita në Parlament kishte kritikuar Kurtin për mosprezantim të draftit, duke thënë se nuk mund të diskutojnë për diçka që s’e kanë parë.

Osmani dhe Kurti për këtë draft kanë thënë se është shkruar nga ndërmjetësit me kujdes për shkonjën e Kushtetutës.