Behgjet Pacolli merr votat e mjaftueshme për deputet

Aleanca Kosova e Re (AKR) në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar në një listë zgjedhore së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Edhe pse kjo parti kishte 6 kandidatë për deputetë, mësohet që vetëm kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli ka marr votat e mjaftueshme që të jetë deputet.

Poashtu janë mësuar emrat e 13 kandidatëve nga lista e LDK-së që kanë arritur t’i marrin votat për t’u bërë deputetë.

Në krye të listës (pa votat e diasporës), sipas raportimeve te mediave, është Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku, Anton Quni, Armend Zemaj, Ekrem Hyseni, Agim Veliu, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Marigona Geci, Besian Mustafa, Lirije Kajtazi, Vlora Dumoshi, Valentina Bunjaku Rexhepi.

Sipas AKR-së, procesi zgjedhor në numrin e votave të partive politike ka shkuar në rregull deri në momentin kur ka filluar të numërohen votat për kandidatët për deputet.

Prandaj, në reagimin e tyre thuhet se “rinumërimi i votave në të gjitha kutitë e votimit, brenda partive në rastin tonë brenda listës së LDK-së, ku pjesë e kësaj liste janë edhe kandidatët e AKR-së, të dala nga procesi zgjedhor i 14 shkurtit, është i pashmangshëm”.

“Shumë informata që kanë arritur nga terreni tregojnë qartë se rezultatet brenda listës janë manipuluar “nga Komisionerët e papërgjegjshëm në Qendrat e votimit.

Andaj, për një garë fer e korrekte është shumë logjike që duhet të bëhet rinumërimi i votave të kandidatëve në listën e LDK-së.

Andaj AKR, edhe një herë kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha fletëvotimeve në tërë territorin e Kosovës, dhe jo vetëm kutit e votimit, ku manipuluesit e votave nuk kanë qenë të aftë të fshehin krimin e tyre.

Aleanca Kosova e Re, këtë kërkesë do ta mbështesë edhe me faktet që janë mbledhur përmes anëtarëve të vet të cilat flasin për parregullsi gjatë numërimit dhe bartjes së rezultateve në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve brenda listës.

Rinumërimi i plotë i fletëvotimeve do të eliminonte edhe pakënaqësitë që tashmë kanë filluar të dalin në shesh nga kandidatët dhe ankesat e tyre për manipulim të votave të brendshme.

Aleanca për Kosovë të Re do të angazhohet që të respektohet në tërësi vullneti i secilit votues, pavarësisht rezultatit që mund ta kenë subjektet politike, në këtë rast edhe AKR, duke ndërmarr kështu të gjitha masat ligjore, që vota e qytetarëve të besuar për kandidatët për deputet të mos manipulohet”, thuhet tutje në reagimin e tyre.