Beteja e fundit e Presidentit Meta

Në vitet e fundit politika shqiptare ka njohur disa precedent të rinj, si djegie mandatesh apo bojkot zgjedhjesh, por në krye të kësaj liste tashmë është shkarkimi i Presidentit. Maxhorancës socialiste i mjaftuan vetëm 3 javë kohë për të hetuar kreun e shtetit dhe konkluzioni duhet të dilte siç kishte porositur Edi Rama 3 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Kjo ishte tentativa e dytë e socialistëve për të shkarkuar Ilir Metën, kur u treguan më të vendosur. Hetimi i parë parlamentar ndaj tij kaloi vetëm me disa këshilla se si duhet të sillet Presidenti, pasi Komisioni i Venecias këshilloi mazhorancën t’ia falte Presidentit disa tejkalime të kompetencave, duke mos i konsideruar si shkelje të rënda kushtetuese. Këshillat nuk u morën për bazë dhe fjalët e dala nga goja e Ilir Metës gjatë fushatës elektorale, ishin provat që socialistët paraqitën si fakte të mjaftueshme, këtë herë, për ta shkarkuar.

Data 9 qershor u caktua si dita ku socialistët do të tregonin me votë atë që kishin thënë me fjalë. Rëndësia e seancës plenare u duk nga vetë prania e Edi Ramës i cili u rikthye të flasë në sallën e kuvendit pas disa muajsh braktisje. Mesazhi i kryeministrit ishte konciz, dashuria e dikurshme me Ilir Metën tashmë është kthyer në urrejtje.

Të thirrur emër pas emri, deputetët iu drejtuan dhomave të fshehta të votimit. Edi Rama zgjodhi që votën pro shkarkimit ta tregonte publikisht, si mesazh për deputetët e tjerë se kjo punë duhet çuar deri në fund.

Procesi i numërimit nuk u prit me ankth nga socialitët. Fillimisht Edi Rama dhe më pas Gramoz Ruçi ikën nga salla e Kuvendit në një kohë kur të ishin ende duke u numëruar. Arritja e numrit 94 në sallë u sinjalizua nga duartrokitjet.

Votat pro shkarkimit të Metës shkuan në 104, numër ky i mjaftueshëm jo vetëm për të shkarkuar presidentin, por për të ndryshuar Kushtetutën në çdo moment që rrjedhimisht ngriti pikëpyetjen e ekzistencës së opozitës parlamentare.

Kuvendi aktualisht përbëhet nga 122 deputetë nga të cilët 74 janë të partisë socialiste. Në sallë mungonin dy deputetë të PS-së, Olta Xhaçka dhe Fidel Ylli si edhe parlamentarja e sapo zgjedhur, Ermira Raboshta si pasuese e Tom Doshit në sallën e Kuvendit. Duke treguar në këtë mënyrë se opozita parlamentare ndihmoi mazhorancën me 32 vota.

Pak metra më tutje, në oborrin e Ilir Metës, dëgjohej muzikë. Për herë të dytë brenda pak ditëve ai e ktheu godinën e presidencës në një sallë ansambli këngësh dhe vallesh, madje duke u bërë pjesë e tyre. Në një kohë kur kutitë po mbusheshin me vota kundër tij, Meta shijonte këngë nga zona e Dibrës, me të cilën e lidh edhe akoma më ngushtë prejardhja e bashkëshortes.

Në pamundësi për t’u treguar indiferent, Taulant Balla tregoi me batutë se një vesh e mbante në sallë e një në presidencë.

“Shpresoj mos t’i kenë kënduar këngën e Hajredin Pashës”, tha Balla. Kënga thotë se Hajredin Pashën e gjeti belaja, por pozitat e Ilir Metës nuk ngjasojnë ende të tilla. Fjalën e fundit për shkarkimin e Presidentit duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese e cila aktualisht është e paplotë dhe përbëhet nga 7 anëtarë, çka tregon rrezikun potencial të mos arritjes së kuorumit të vendimmarrjes.

Koha që i nevojitet Gjykatës të shprehet përkon edhe me dekretimin e qeverisë së dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. E nëse deri në shtator Gjykata nuk është shprehur Edi Rama mund të betohet te presidenti që votoi për ta shkarkuar.

Por Ilir Meta tregoi shpejt se nuk kishte këtë mendje. Pavarësisht votës për ta shkarkuar, Presidenti duket se është rikthyer te aksioma e tij e vjetër “me qetësi dhe dashuri”, me të cilën është i gatshëm të shfaqet para socialistëve shtatorin e ardhshëm.

Kjo nuk e pengoi për të dhënë versionin e tij se si socialistët arritën të mblidhin plot 104 vota kundër tij, duke thënë edhe se “Dolën se sa euro kishin marrë për shkarkimin e presidentit”.

Stina e nxehtë e verës mund të mos shkrijë akujt mes tij dhe Edi Ramës, por Ilir Meta duket se ka ndërmend ta shfrytëzojë atë për t’u kthyer në formë. i shkarkuar apo jo, pavarësisht çfarë qëndrimi do të mbajë Gjykata Kushtetuese, vendimi i parlamentit duket se i shtroi terrenin Ilir Metës për ta rikthyer në jetën aktive politike./A2cnn