Beteja e gjatë e Igballe Ibrahimit për trashëgimi

Që nga viti 2017, Igballe Ibrahimi është në kërkim të drejtësisë për pasurinë që pretendon se i takon. Si fëmija i vetëm i Rexhep Micajt nga Veriqi i Istogut, Igballja është ndier e diskriminuar që nuk e ka trashëguar pronën dhe shtëpinë e njeriut që e rriti atë.

Pasi i vdiq babai, në vitin 2006, Ibrahimi, e cila jeton aktualisht në Suedi, humbi edhe djalin dhe burrin e saj.

Kjo humbje e kishte tronditur, thotë ajo në një intervistë në emisionin “Raport” të KTV-së. Thotë se nuk kishte pasur kohë të merrej me atë çka la pas babai në fshatin Veriq.

Sipas Ibrahimit, mungesën e saj e shfrytëzoi djali i axhës Sinan Micaj, mes të cilit dhe babait të saj Rexhepit ekziston një kontratë për ushqiminë.

Kontrata, e cila nënkupton se ai do të kujdesej për të derisa të ishte gjallë dhe gjysma e pasurisë do t’i takonte atij, ishte lidhur në vitin 2000.

Kjo e kishte shtyrë Ibrahimin që ta padiste Micajn në Gjykatën Themelore të Istogut.

Avokati Berat Peci thotë se kjo ndodhi dy vjet pasi e njëjta gjykatë e njohu Ibrahimin si trashëgimtaren e vetme të ligjshme.

E Ibrahimi është e indinjuar me faktin se si kushëriri asnjëherë nuk e vizitoi atë dhe nuk u paraqit në Gjykatë.

Është e bindur që po i mohohet e drejta në trashëgimi të pronës vetëm pse është grua.

Ibrahimi thotë se trajtim të barabartë në pasuri dhe trashëgimi nuk po marrin gratë në Kosovë, ndryshe shumë nga ajo që thotë të kenë gratë në Suedi.

Megjithatë, në mars të këtij viti Gjykata vendosi në favor të Sinan Micajt.

Mbrojtja e Ibrahimit pretendon se gjykata e shkallës së parë nuk ka vendosur drejt në këtë rast dhe e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Sinan Micaj, i cili aktualisht nuk jeton në Kosovë, nuk ka dashur të komentojë rastin.

Por në vizitën që ekipi i bëri familjes Micaj në Veriq të Istogut, nëna e tij, Sala Micaj, ka mohuar se i është bërë e padrejtë Igballe Ibrahimit.

Ajo ka rrëfyer se kunati i saj, Rexhepi, me vetëdëshirë ia la trashëgimi tërë pasurinë djalit të saj, Sinanit.

Micaj thotë se vendimi i takon Gjykatës.

Gjykata Themelore në Pejë përmes një përgjigjeje me shkrim ka konfirmuar për televizionin se në këtë rast dega e saj në Istog ka marrë aktgjykim refuzues.

Nuk kanë pranuar të komentojnë rastin para kamerës, por shkurt kanë treguar se vendimi është arsyetuar në aktgjykimin me shkrim.

Aty theksohet se Igballe Ibrahimi ka ushtruar padi jashtë afatit ligjor dhe nuk është bazuar në ankesën e saj në asnjë dispozitë ligjore.

Beteja vazhdon, Ibrahimi ka vendosur të mos dorëzohet.