Bllokada ndaj Sali Berishës, paralajmërim për të përfshirët në korrupsion

Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit, tash e sa vjet është pjesë e listës së personave që u ndalohet hyrja në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Lladrovci ka thënë se kjo gjë nuk e ka penalizuar gjatë punës dhe karrierës së tij, mirëpo ka shtuar se nuk ndihet mirë pse është në atë listë.

“Vendimi i administratës amerikane, personalisht nuk më ka penalizuar aspak, sepse unë kam raporte jashtëzakonisht të mira me Shtetet e Bashkuara. Natyrisht që nuk ndihem mirë që të jem në atë listë”, ka thënë Lladrovci për Radion Evropa e Lirë.

Bashkë me të në listë janë edhe rreth 40 shqiptarë tjerë nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut. Disa prej tyre, që kanë qenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë mbajtur apo kanë pozita të larta në Kosovë, si deputetë apo ministra në qeveritë e Kosovës. Disa prej tyre janë: Azem Syla, Daut Haradinaj, Emrush Xhemaji, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku.

Për aryse tjera, kjo listë amerikane ka fituar sërish vëmendje, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit që t’i ndalojë hyrjen në SHBA, ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Në njoftim, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Për pasojë, hyrja në SHBA u është ndaluar edhe bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij.

Berisha për padinë: Shpifje publike

Berisha ka thënë më 20 maj se akuzat e ngritura ndaj tij janë “shpifje publike” dhe se avokati i tij po përgatit padi ndaj Sekretarit Blinken.

“Nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë se unë jam po kam qenë i implikuar në një aferë të çfarëdoshme korruptive, prandaj dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral, dhe të respektuar siç është Franca, që të ngrejë ndaj Antony Blinken një padi direkte për shpifje publike”, ka thënë ai.

Tanya Domi, profesoreshë në Universitetin Columbia dhe eksperte e Ballkanit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Sekretari Blinken e ka përmendur që korrupsioni është një nga çështjet me rëndësi për politikën e jashtme amerikane dhe ai e ka bërë të ditur këtë gjë edhe në letrën e parë dërguar zyrtarëve të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, se ky shtet duhet ta luftojë korrupsionin.

“Veprimi ndaj Berishës duhet të shërbejë si paralajmërim nga administrata Biden se do të përdorë mekanizma të ndryshëm, në mënyrë të kujdesshme, dhe unë e shoh gjithë këtë si shenjë se ata do të adresojnë çështjet e korrupsionit në përgjithësi”, ka thënë Domi.

Edhe Florent Spahija, ekspert për çështje ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky vendim tregon se Shtetet e Bashkuara e trajtojnë me shume seriozitet luftën kundër korrupsionit, por edhe ndihmën për vendet e Ballkanit, që të dalin sa më shpejt nga periudha ku mbizotëron korrupsioni.

“Kjo tregon që politikanët duhet ta luftojnë dhe ta marrin seriozisht korrupsionin dhe të mos përfshihen në korrupsion, por të jenë në luftë kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara janë goxha serioze dhe investojnë projekte milionëshe në vendet e Ballkanit. Ka projekte pafund për këto vende, të cilat kanë për qëllim demokratizimin e këtyre vendeve dhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Spahija.

I pyetur se pse tani ka marrë këtë vendim kjo administratë, Spahija përmendur zgjedhjet e mbajtura më 25 prill të këtij viti në Shqipëri.

“Ky proces zgjedhor kaloi relativisht mirë në Shqipëri edhe pse pati akuza dhe kundërakuza për blerje dhe manipulim votash, megjithatë kjo gjë mbetet për t’u parë. Por, konsideroj edhe që presioni i opozitës së atjeshme dhe politika e vjetër disi po e mban peng zhvillimin, prandaj edhe ka reaguar politika e jashtme amerikane”, shtoi ai.

Profesoresha Domi ka thënë se pretendimet për Berishën kanë ekzistuar tash e sa kohë.

“Një nga pikat bllokuese të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian besohet të jetë çështja e korrupsionit, sundimi i ligjit, gjyqtarët, të cilët nuk mund të çojnë deri në fund ndjekjet penale. Është një shenjë e hershme se administrata amerikane është serioze për këtë gjë”, ka deklaruar Domi.

Vendime të tilla rrisin vëmendjen e zyrtarëve në pushtet

Më 3 qershor, Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një memorandum të presidentit amerikan Joe Biden, përmes së cilit theksohet se lufta kundër korrupsionit do të jetë një nga interesat thelbësorë të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

“Korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, barazinë ekonomike, përpjekjet globale kundër varfërisë dhe zhvillimin e vetë demokracisë. Por, duke parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe duke demonstruar përparësitë e qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, ne mund të sigurojmë një avantazh kritik për Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera”, ka thënë presidenti Biden.

Mes tjerash Biden ka thënë se administrata e tij do të promovojë qeverisje të mirë, do të ofrojë transparencë në Shtetet e Bashkuara dhe për sistemet financiare globale, do ta parandalojë dhe do ta luftojë korrupsionin brenda dhe jashtë shtetit, si dhe do ta bëjë shumë të vështirë për personat e korruptuar që ta shtrijnë aktivitetin e tyre.