Brutaliteti i Policisë së Shqipërisë: Protestuesi goditet në sy me plumb gome
Një qytetar protestues është qëlluar në sy me plumb gome nga Policia e Shqipërisë në protestën e së shtunës.
Në pamjet që janë publikuar në rrjete sociale, qytetari shihet i gjakosur në sy si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga plumbi i gomës.
Në protestën e së shtunës në Shqipëri, policia është duke hedhur bomba shurdhuese, gaz lotsjellës, plumba gome e ujë ndaj protestuesve.
Protestuesit fillimisht u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të vazhduar në drejtime të tjera më pas.
Protesta është e dominuar kryesisht nga studentët, të cilët janë edhe organizatorë të saj, por ka edhe qytetarë të tjerë të shumtë.
Në drejtim të policisë, protestuesit po hedhin molotov e fishekzjarre.
Po ashtu, protestuesit i vënë flakën edhe derës së Ministrisë së Mjedisit e asaj të Bujqësisë, të cilat u fikën pas ndërhyrjes së autoriteteve kompetente.
Mediat në Shqipëri raportojnë se si pasojë e forcës joproporcionale të policisë, disa protestues kanë mbetur të lënduar.
Studentët në Shqipëri janë duke protestuar që gati dy javë.
Kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama.
Nga ana tjetër, Rama ka thënë se nuk do të japë dorëheqje, derisa i ka sulmuar vazhdimisht protestuesit, duke thënë se prapa tyre “qëndrojnë krimi i organizuar dhe duar të huaja”.

