Burri e rrah dhe e mban të mbyllur 18-vjeçaren në Pejë, s’ia lë ta marrë fëmijën me vete

Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë vitit të kaluar janë raportuar mbi 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje. E shumë nga to ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një vajzë e re, 18-vjeçare në fshatin Kryshec të Pejës, cila dyshohet se është viktimë e dhunës së shkaktuar nga bashkëshorti i saj.

Sinjali mëson se pas një konflikti mes çiftit, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me shuplakë e më pas e ka mbyllur në dhomë ku e ka mbajtur nën dry për dy ditë me radhë.

Për t’i dalë në ndihmë, në shtëpinë e çiftit kishte shkuar vëllai i 18-vjeçares, i cili ka kërkuar që ta marrë me veten motrën e tij dhe fëmijën e saj. Por kjo u kundërshtua nga 23-vjeçari, i cili ua ka ndaluar bashkëshortes dhe mikut të tij që ta marrin fëmijën me vete.

Si rezultat i denoncimit të rastit në Polici, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ndërsa viktima me vetdëshirë ka shkuar në strehimore.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Dhunë në familje’.