Momenti kur qytetari shpëton gruan që kërceu nga ura (VIDEO)

Mediat raportuan mbrëmë për një rast të rëndë që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Xërxë të Rahovecit, te Ura e Fshajtë, ku një grua ka tentuar t’i jap fund jetës duke kërcyer nga ura, si pasojë e depresionit.

Viktima, e moshës 29-vjeçare kishte dalë nga shtëpia me veturën e familjes së burrit, pa dijeninë e tyre dhe ishte nisur në drejtim të urës. Aty, veturën e kishte lënë në parking dhe më pas ka kërcyer nga ura, por fatmirësisht qytetarët përreth kanë intervenuar, me ç’rast njëri prej tyre e ka shpëtuar mrekullisht.

Gurja posa është nxjerrë nga uji, u dërgua në Spitalin e Gjakovës, ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja e saj është stabile.

Qytetari që ka shpëtuar gruan ka thënë se nuk ka llogaritur jetën e tij në momentin që e ka parë atë duke u përplasur.

Këto janë pamjet ku shihet se si ai i shkon nga mbrapa duke notuar për ta nxjerrë vajzën në breg.

Rasti është denoncuar në Polici fillimisht nga vjehrri i saj, i cili ka rrëfyer se si e morën vesh se nusja, e cila vuan nga depresioni qe një kohë ishte larguar nga shtëpia.

Posa Policia është njoftuar për rastin, një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është kuptuar se viktima ka qenë në gjendje të rënduar emocionale, si pasojë e depresionit.

Me t’u mbledhur informacionet e para, për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.

Rastin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë.

Kujtojmë se rastet e tilla janë shpeshtuar shumë dhe kjo po cilësohet si një dukuri mjaft shqetësuese.