Burri vret gruan me thikën e bukës dhe e raporton rastin si vetëvrasje

Një krim i rëndë është regjistruar mëngjesin e djeshëm në zonën e Fierit, ku një grua 50-vjeçare është masakruar nga bashkëshorti i saj.

Viktima Valdete Mamaj u therr me thikë nga bashkëshorti i saj, Petrit Mamaj, i cili pasi e masakroi gruan, e la trupin e pajetë në shtëpi dhe doli në një nga mensat e lagjes, shkruan panorama.al

Kunati i gruas ai që e ka gjetur 50-vjeçaren të masakruar me thikë brenda banesës, duke kërkuar ndihmë dhe më pas ka lajmëruan menjëherë Policinë, pa e ditur se krimin e rëndë e kishte kryer vëllai i tij. Rasti ishte raportuar si vetëvrasje.

Pas hetimeve paraprake, u zbulua se gruaja kishte gjashtë plagë thike në trup, një prej të cilëve në pjesën e zemrës. Ekspertiza bëri të qartë se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje, por për vrasje.

Trupi i pajetë u gjet në krevatin e dhomës së gjumit dhe krimi dyshohet të jetë kryer rreth orës 06:30 minuta të mëngjesit. Edhe vetë burri i saj ka thënë se është vetëvrarë, por nuk ka dhënë detaje për arsyet që mund ta kishin çuar gruan drejt këtij vendimi fatal.

Më pas, Policia duke pyetur të afërm e miq të familjes si dhe të njohur të tyre, ka nisur të dyshojë se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje. Të njohurit dhe familjarët e familjes Mamaj i kanë thënë Policisë së çifti kishte shpesh sherre për shkaqe xhelozie.

Kjo ka bërë që të shoqërohet në polici si autor i dyshuar i ngjarjes. Nga provat e grumbulluara rezultoi se shtetasi Petrit Mamaj, bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen Valdete Mamaj, e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.

Mbi trupin e gruas fatkeqe kishte plagë të shumta me thikë, çka një njeri që mund të vetëvritet nuk mund t’i shkaktojë, aq më tepër në pjesë të ndryshme të trupit. Një plagë e kishte në pjesën e shpinës.

Fillimisht ngjarja e rëndë u raportua si vetëvrasje, sepse 56-vjeçari i kishte deklaruar Policisë se gruaja e kishte ndërmarrë vetë një akt të tillë. Policia thotë se Petrit Mamaj i gënjeu forcat e rendit me deklaratat e tij mbi vetëvrasjen e gruas.

Pas hetimeve, rezultoi se ai ishte autor i krimit të rëndë, duke e qëlluar gruan disa herë me thikë kryesisht në pjesën e gjoksit. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie.

Qifti kishte konflikte të vazhdueshme. Burri dyshonte se gruaja e tradhtonte.

Burime pranë vendit të ngjarjes tregojnë se burri, pasi ka vrarë të shoqen, ka shkuar si përherë në mensën e lagjes për të mos rënë në sy. Ai është paraqitur i qetë dhe askush nuk ka vënë re diçka të dyshimtë.

Ata ishin prindër të dy fëmijëve, një vajze dhe një djali. Djali ishte larguar një ditë më herët për në Gjermani, ku edhe punonte.

Valdete Mamaj punonte si shitëse në një dyqan në Fier, ndërsa 56-vjeçari punonte te shërbimet komunale.