Cakaj falënderon Hazirin për mbështetjen në unifikimin e partive në Luginën e Preshevës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka pritur në takim nënkryetarin e LDK’së dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, transmeton Mediafokus.info.

Përmes një postimi në Facebook, Cakaj e ka falënderuar kreun e Gjilanit për mbështetjen në unifikimin e partive politike në Luginën e Preshevës.

“E falënderova për punën e tij të vyer në Komunën e Gjilanit dhe për mbështetjen e pakursyer në procesin e bashkimit të partive politike në Luginën e Preshevës. Nënvizuam bashkërisht rëndësinë që Kosova dhe Shqipëria të shtojnë mbështetjen shtetërore për vëllezërit tanë në Luginë”, ka shkruar Cakaj.

Takimi nuk ka kaluar pa biseduar edhe për zhvillimet politike në rajon, e vecmas për dialogun Kosovë-Serbi.

“Po ashtu, biseduam edhe për zhvillimet politike në rajon dhe dialogun Kosovë-Serbi në veçanti. Shqipëria është duke e përcjellë me shumë vëmendje zhvillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe mbështet në mënyrë absolute platformën e Kosovës në këtë proces. Mbetet krejtësisht e qartë që dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë”, ka shkruar ministry Cakaj./Mediafokus.info/