Caktohet paraburgimi ndaj një të pandehuri, dyshohet për narkotikë

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar një masë paraburgimi prej 30 ditë të pandehurit F. R.

Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë një kontrolli policor në afërsi të shkollave të mesme në Viti, tek i pandehuri janë gjetur substanca narkotike e llojit “marihuanë”, në sasi prej 4.4 gramë.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë dhe masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale, thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim të Gjykatës Themelore në Gjilan.