Derisa Isa e Albini bisedojnë, ende ka gjasa për marrëveshje

Asgjë jo normale nuk ka ndodhur përderisa Isa dhe Albini janë ende në negociata për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të formimit të qeverisë së re. Zgjatja e procesit nënkupton se palët kanë dallime mes tyre. Sikur Vetëvendosja dhe Lidhja demokratike e Kosovës të mos kishin pikëpamje të ndryshme rreth formimit të qeverisë së re, atëherë nuk do të kishte fare negociata.

Mirishahe Limani Hiler

Por, rezultati i bisedimeve nuk duhet paragjykuar. Në këtë proces fiton më shumë ai që di të negociojë më mirë. Votuesit nuk kanë pse tensionohen. Ata duhet të presin me qetësi.

Hyrja në bisedime, nënkupton paraprakisht se ekziston një çështje për t`u zgjidhur. Mospajtimet rreth një çështje, shpeshherë mund të jenë të thella, pasi shpesh palët në tavolinë nuk lëshojnë pe nga interesat e tyre.

Bisedimet shpeshherë paraprihen nga momente tensioni dhe një klimë e vështirë. Edhe vetë pritja e madhe e qytetarëve nga Isa dhe Albini krijon një tension në bisedime. Nuk duhet harruar se marrëdhëniet midis tyre mund të jenë të ngarkuara edhe emocionalisht.

Kështu ndodhë çdo herë kur negociohet seriozisht. Andaj sot asgjë nuk ka ndodhur nëse Albini dhe Isa nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje rreth një apo dy pikave të caktuara.

Bisedimet apo negociatat nuk ndodhin vetëm në politikë, por  kudo. Fjala negociatë gjithmonë përdoret për t’iu referuar realiteteve, ndonjëherë shumë të ndryshme siç e kemi rastin veçanërisht tek Albini dhe Isa. Dallimet mes tyre janë jashtëzakonisht të ndryshme, sa që do të thosha se nuk është krejtësisht normale po që se të dytë arrijnë një marrëveshje pa provokuar ngritjen e tensioneve.

Edhe Isa edhe Albini e dinë se të gjithë ne negociojmë gjatë gjithë ditës: brenda familjeve tona, me fqinjët tanë, negociojmë me punëdhënësin tonë, me klientët, me furnizuesit etj. Ata nuk duhet në asnjë mënyrë të marrin guximin para votuesve dhe të vënë në dyshim besimin e tyre. Pra, në jetë të gjithë jemi të udhëhequr të kërkojmë marrëveshje si rezultat i bisedimeve, negociatave që bëjmë, të pranueshme nga të gjitha palët.

Albini dhe Isa duhet të jenë shumë më të përkushtuar në atë se çka duhet e çka nuk duhet të komunikojnë për opinionin publik tani për tani. Tek e fundit, votuesit nuk i intereson fare rruga që ata bëjnë deri në arritjen e marrëveshjes. Tensionet, presionet, krizat nervore duhet t`i mbajnë për vete.

Albini dhe Isa e dinë se aftësia për të negociuar është apo njihet si një zotësi thelbësore në mjedisin profesional. Negocimi nuk është më prerogativë e disa profesionistëve (avokati, ndërmjetësuesi, specialisti i marrëdhënieve shoqërore…), por një cilësi e kërkuar shumë shpesh, veçanërisht në funksionet me përgjegjësi publike.

Isa dhe Albini kanë kohë t’i negociojnë mospajtimet në këtë proces, por nuk duhet t`i ndajnë me publikun dallimet që kanë në arritjen e marrëveshjes finale. Zhurma vetëm sa mund t`i irritojë votuesit e të dyja palëve, të cilët në këtë fazë nuk kanë nevojë të bartin edhe peshën e bisedimeve që duhet ta ndajnë mes tyre negociuesit.

Albini dhe Isa, tani për tani që ende ndodhen në proces negociatash, nuk kanë as pse të arsyetohen. Populli i Kosovës e pret rezultatin e takimeve të tyre.