Një shuplakë që ndryshoi epokë
Shkruan Murat Hoxha
(Në kujtim të Rexhep Hamitit, ekonomist, veprimtar politik dhe intelektual nga Zhegoci i Gjilanit: 1931–2026)
Në qytet bëri bujë të madhe lajmi për shuplakën që Rexhep Hamiti ia kishte dhënë kryetarit të Komitetit.
Dikush që kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e Komitetit Komunal e rrëfeu ngjarjen në mirëbesim dhe me krenari.
Për ata që e dëgjuan rrëfimin, ajo shuplakë kishte thyer frikën ndaj njerëzve që, në atë kohë, konsideroheshin të paprekshëm.
Thuhet se në atë mbledhje ishte kërkuar që lajmi të mos përhapej, me arsyetimin se “e prishte imazhin e vetë Komitetit”.
Kjo kërkesë u kuptua edhe si një pranim i heshtur “komitetlive” se duhej respektuar dinjiteti i një njeriu të guximshëm, i cili, sidoqoftë, përfaqësonte shqiptarët.
Në qytet e dinin mirë se Rexhep Hamiti nuk e duronte padrejtësinë.
Duke e njohur natyrën e tij, njerëzit thoshin se në atë përballje “ka mujtë me krisë jo vetëm shuplaka, po edhe alltija”.
Ishte një “kohë e mbrapshtë”. Pritej që ndaj tij të merreshin masa politike, të ushtrohej shantazh e madje të shkohej deri te burgosja.
Përpjekjet për ta diskredituar nisën pikërisht duke vënë në shënjestër ato cilësi për të cilat ai gëzonte respekt.
Por, Rexhep Hamiti nuk thyhej, sepse ai ishte ekonomist nga formimi, politikan me përvojë dhe njeri i guximshëm.
Ai dinte t’i mbronte bindjet e veta profesionale, politike e kombëtare aty ku duhej dhe ashtu siç duhej.
Ata ushtronin presion mbi të, por nuk mundën t’ia ndalnin veprimtarinë.
Ai gjykonte me mendjen e vet dhe merrte përgjegjësi për qëndrimin që mbante.
Shprehja e një anëtari tjetër të Komitetit, “kako Cane kaže (siç thotë Cane)”, ishte e huaj për Rexhepin.
Trimi i maleve të Zhegocit vazhdoi t’i shprehte hapur pikëpamjet e tij në rrethet politike e shoqërore, me të cilët mbante lidhje, diskutonte dhe planifikonte organizimin e qëndresës, deri edhe në formën e saj të armatosur.
E burgosën dhe u përpoqën ta thyenin duke e shpallur “irredentist”.
Përndjekja u shtri edhe mbi familjen, të cilën e dëbuan nga banesa ku kishte jetuar prej vitesh.
Të njëjtin zullum e pësoi edhe dhëndri i tij, bashkëshorti i vajzës së tij të vetme, të cilin e larguan me dhunë nga banesa e vet.
Ajo shuplakë, që Rexhepit ia kishin imponuar rrethanat, mbeti në kujtesën e qytetit me një porosi të qartë: “Mos bëni çka t’ju vijë në dorë!”
Teksa rrëfimi kalonte nga njëri te tjetri, porosia e saj mori forcën e një kushtrimi që u përhap si një valë e pandalshme për liri.
“Zullumi këputet aty ku është më trashë”, thotë fjala e popullit. Dhe njëmend u këput.
Ata që kishin ushtruar zullumin u larguan, duke marrë me vete edhe njerëz të pafajshëm, por edhe nga ata që “bënin sehir” dhe e arsyetonin heshtjen me fjalët: “Ne jemi të pafuqishëm me e ndalë zullumin”.
Banesat e marra me dhunë u liruan. Ata që i kishin zënë u larguan edhe nga qyteti dhe u kthyen andej nga kishin ardhur.
Në vitet pas burgut, Rexhep Hamiti vazhdoi t’i mbështeste me angazhimin dhe veprimet e tij ata që morën përsipër barrën e qëndresës deri në luftën e armatosur.
Në atë luftë u përfshinë drejtpërdrejt shumë pjesëtarë të familjes së tij.
Mes tyre pati edhe të rënë, të shpallur sot martirë dhe heronj të çlirimit të Kosovës.
Vitet e fundit të jetës i kaloi pranë familjes dhe në shoqërinë e miqve.
Me ta rikujtonte sfidat dhe peripecitë që kishin shoqëruar atë rrugë të gjatë përpjekjesh, të kurorëzuar me lirinë që gëzojmë sot.
Qofshin të paharruara puna dhe veprat e Rexhep Hamitit!
Në kujtesën e brezave që do të vijnë, ai do të mbetet trimi i maleve të Zhegocit.

