‘Ceni i Shijakut’ mjeku popullor që trajtoi 700 mijë pacientë
Të gjithë shqiptarët i kanë njohur ose kanë dëgjuar për dy mjekët e famshëm popullorë, Cenin e Shijakut dhe Cenin e Tiranës.
“Ceni i Tiranës”, mjeku Pëllumb Bulku ai që trashëgoi zanatin e babait të tij (Cenit të Shijakut) ishte i ftuar disa kohë më parë në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, ku tregoi më tepër për humanizmin e të atit.
“Babai im e filloi punën që në moshën 14-vjeçare me bagëti. Arriti ta perfeksionojë mirë profesionin në 2-3 vitet e para dhe menjëherë u hodh në shërbim të njerëzve.
Këtë dhunti që e mori prej Zotit ai e përdori me sukses tek njerëzit, por me plagë nuk punoi asnjëherë. Shumë shpejt ai u bë i njohur në gjithë Shqipërinë. Bëri emër sepse iu përkushtua me humanizëm kësaj pune. Punonte vetëm me fasho dhe karton.
Klinikën e parë babai im e ndërtoi në shtëpi, ne kishim një dhomë në shtëpi që prisnim pacientët. Numri i pacientëve ka arritur deri në 120 në ditë.
Zanatin e tij nisa ta mësoj herët. Në moshën 14 vjeç e kam nisur edhe unë, po ashtu edhe vajza ime e ka nisur 14 vjeç. Unë isha ndihmës i babait dhe kisha punuar shumë me të. Më vinin shumë nxënës, në fillim për gjëra të vogla, por më vonë u perfeksionova edhe unë.
Babai e kishte ëndërr që unë të vazhdoja shkollën për mjekësi dhe ashtu ndodhi, pasi mbarova të mesmen më çuan për mjekësi. Ai ishte njeri i betuar se nuk do të merrte shpërblime me lekë apo materiale, mjaftohej vetëm me fjalën faleminderit.
Në duart e tij kanë kaluar mbi 700 mijë pacientë. Në 60 vjet të punës së tij shtëpia jonë ka qenë gjithnjë e hapur. Tek babai im ka patur edhe pacientë të huaj. Pas vitit ’90 iu dha titulli ‘Qytetar nderi’ dhe më pas ‘Nderi i qytetit të Durrësit”, rrëfeu Pëllumb Bulku.

