CIOFF: Një hap drejt fuqizimit të trashëgimisë kulturore në skenat ndërkombëtare

Në saje të punës së palodhshme, por edhe të pasqyrimit të vlerave të mirëfillta kulturore, brenda dhe jashtë Kosovës, drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” në Viti, Arsim Abazi, është emëruar person kontaktues për Kosovë, nga Këshilli Ndërkombëtar i Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore (CIOFF).

Kjo organizatë njihet si më e madhja në botë për mbajtjen e festivaleve për trashëgimi kulturore të popujve dhe është në partneritet me UNESCO-në.

Aktualisht në CIOFF janë të antarësuar 107 shtete nga e gjithe bota, ku për çdo vit organizohen më shumë se 250 festivale në 50 vende të ndryshme.

Pas komunikimit me drejtorin e AKV ”Kemajl Azizi” u bë e ditur se CIOFF ka shprehur interesim për bashkëpunim dhe organizim të aktiviteteve kulturore edhe në Kosovë.

Bashkëpunimi mes drejtuesve të AKV “Kemajl Azizi” dhe organizatës CIOFF, vjen si rezultat i shumë sukseseve në sferën e trashëgimise kulturore të vendit, siç janë vlerat e mirëfillta kulturore artistike, riteve, zakoneve nga shume projekte të ndryshme, realizuar ndër vite nga ansambli vitias.

Kjo konsiderohet edhe si një hap shumë i rëndësishëm drejt fuqizimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kultutore shqiptare në sferën ndërkombëtare.

Drejtori i Ansamblit, Arsim Abazi, bëri të ditur se falë bashkëpunimit të tij me udhëheqësit e Festivaleve, së bashku me anëtarët e kësaj trupe, kanë realizuar një varg udhtimesh jashtë vendit, si në Vjenë, Ishullin Thasoss te Greqisë, Varna dhe Kiten të Bullgarise, Budva te Malit te Zi e shumë e shumë festivale të tjera, ku është prezantuar kultura dhe tradita e popujve.

Përndryshe në AKV ”Kemajl Azizi” frekuentojnë më shume se 150 antarë në sektore të ndryshëm të kulturës si: valle artistike, valle burimore, orkester, kënge popullore, këngë folklorike etj. Antarët janë të grupmoshave te ndryshme, nga 7 vjeq e deri te grupmosha e te rriturve, të cilët këtu gjejnë hapësirë të promovojnë vlerat e mirëfillta kulturo-artistike të vendit tonë dhe të shfaqin talentin e tyre.