Dardan Molliqaj me deklaratë të ashpër kundër Albin Kurtit

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka publikuar posterin për bojkotimin e produkteve serbe, i proklamuar në vitin 2006 nga Levizja Vetevendosje.

Ai e ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, për donacionin që e pranoi nga Serbia prej 1000 testesh kunder Coronavirusit.

Ja statusi i plotë i Molliqaj:

Ky është posteri kundër produkteve të Serbisë të cilin si VV e shpërndamë gjithandej Kosovës në vitin 2006.

Sot kryeministri në detyrë, pozitë të cilën po vazhdon ta mbajë të uzurpuar anipse e shkarkoi vetën, paska deklaruar që me pranimin e ”ndihmës” nga Serbia, me ç’rast u dhuruan 1000 teste për COVID-19, ne e kemi befasuar Serbinë.

Serbia nuk befasohet kur pranohen donacione të tilla kryeministër. Sepse Serbia nuk befasohet kur amnistohet për krimet e kryera në Kosovë. Dhe edhe po të befasohej, neve nuk na duhet ky lloj befasimi i tyre.

Neve na duhet ta befasojmë Serbinë duke ia refuzuar këto donacione. Serbinë e pate rastin ta befasoje në tavolinën e negociatave.

Aty ku do të duhej t’ia kërkoje kërkimfaljen për të gjitha vrasjet e përdhunimet e grave shqiptare gjatë luftës.

Aty ku do të duhej t’ia kërkoje t’i kthejë trupat e të pagjeturve.

Aty ku do të duhej t’ia kërkoje dëmshpërblimin për shkatërrimin e shtëpive tona.

Por këtë nuk e bëre. Sepse ju nuk keni guxim ta BEFASONI Serbinë. Prandaj e shkarkuat vetën./Mediafokus.info/