Dedikim: Hafiz Hasani, mësuesi që la kryeqytetin për të punuar në fshat

Lulzim Zymberi

Sot, në Vërbicë të Zhegocit varrosëm trupin e pa jetë të mësuesit Hafiz Hasani.

Mësuesin Hafiz e njoha që kur unë kam filluar klasën e parë. Që nga ai moment e kam mbajtur në kujtesë si një person i dashur dhe i hareshëm.

Më vonë pata rastin të jem koleg me të. Unë fillova punën më 1993 dhe mësuesin Hafiz e gjeta me ditar në dorë.

E njëjta përshtypje – më priti buzagaz e hareshëm, por edhe me një sugjerim ”a e din çfarë detyre ke marr”.

Unë, si me shaka, ia ktheva: detyrën e shenjtë të mësimdhënies.

Mësuesi Hafiz mundohej ta kryente detyrën sa më mirë edhe pse kohët ishin të vështira.

Atij i duhej të banonte të kushërinjtë në Vërbicë e herë-herë të udhëtonte për në Prishtinë, ku e kishte familjen.

Pasi që puna e mësimdhënësve bëhej po thuaj pa pagesë, ai për t`ia lehtësuar vetes udhëtimin, solli fëmijët dhe bashkëshorten prapë në Verbicë, për disa vite.

Mësuesi Hafiz dha shumë për shkollën e Vërbicës dhe Zhegocit. Ai ishte shumë paqësor, tolerant dhe bashkëpunues, por edhe i ndjeshëm saqë për një kohe udhëhoqi degën e shoqatës “Nenë Tereza” në fshat.

Mësuesi Hafiz udhëtonte në këmbë, në mot të mirë e të vështirë.

Sa e sa herë e kam parë të djersitur, të lagur e të mbuluar nga bora e besa me këpucë e çizme të grisura, si shumica e mësimdhënësve vullnetar të kohës.

Mbaj mend një ditë u nisëm bashkë prej shkolle kah lagjja ime, ngase ai ditën e enjte shkonte për të bujtur diku në Zhegoc, që të premten të mbante mësim atje.

Kur u nisëm nga shkolla, filloi të bie borë. Kur iu afruam shtëpive të lagjes, i thashë ”mësues a vjen sonte te unë”.

Më vështroi mirë e mirë dhe tha ”nëse s`prishi punë, po vij”.

Erdhi dhe bëmë muhabet gjithë natën, unë babi im, vëllezërit e disa kushërinj.

E bora po vazhdonte të binte pa ndalur.

U zgjuam në ora 7, hëngrëm mëngjes shpejt e shpejt dhe u nisëm për në shkollë, unë në Vërbicë e ai në Zhegoc.

Borë kishte arritur lartësinë deri në 50 cm.

E sa herë të tjera, mësuesi ynë ka qarë shtegun e borës…veç ai e di.

Mësues Hafiz, shumë kisha me shkrua për ty, por në këtë moment më mbetet veç me të falënderua për gjithçka që ke bërë për nxënësit dhe shkollën.

Pusho i qetë mësues Hafizi!/Mediafokus