Dedikim për vëllain: “Ejani pas 15 vitesh, ishte armik i atdheut, mos e kërkoni…”
Eda Zari, këngëtarja e njohur e muzikës pop dhe jazz, ka rikujtuar vëllain e saj të vrarë në kufi para 32 vitesh, nga regjimi i kohës. Iliri sot do të festonte ditëlindjen po të ishte gjallë.
Liri, sot është ditë e lindjes tënde. Kemi tre dekada që s´mund ta festojmë këtë ditë – ashtu bukurisht si mote të shkuar.
Po të ishe sot më jetë ku do doje të ishim? Mall o dritë e motrës, mall!
“(…) Po më pas, ç’u bë me këtë trup, me këtë trup që e priste jeta, dashuria, telajot e së ardhmes që kurrë nuk gëzuan ngjyrat e jetës së tij?
Jo, nuk mbaron këtu. S’ka trup, s’ka varr, s’ka protokoll, s’ka asnjë gur për prindërit dhe ne ku të përgjunjemi. Vetëm rropatje, sorollatje, tallje, përçmim.
“Ejani pas 15 vitesh, ishte armik i atdheut. Mos e kërkoni…”.
Në çantën e Ilirit ndodhej një pincë, një kaçavidë, ca libra dhe një aparat fotografik. Ky qe armiku i atdheut.
Lirinë dhe artin tim ia kam borxh guximit të tij prej artisti ëndrrashumë.”
(Shkëputur nga shkrimi “E kaluara e tashme dhe totalitarizmi i sotëm i kamufluar”. Nga #edazari)

