Dedikimi për dajën Ukë: Mjeku i sëmundjeve tona, mjeku i zemrave tona
Këtë javë i dha fund punës aktive në shëndetësi dr. Ukshin Ismajli, anesteziologu i parë në Gjilan, i cili mbushi 65 vjet.
Pos shumë e shumë të tjerëve, kolegë, miq, familjarë e qytetarë, për të ka bërë një dedikim të veçantë edhe mbesa Rinë Rasimi.
Në 65-vjetorin e lindjes dhe në pensionimin tënd, rrugëtimi yt profesional Dajë, po përmbyllet me urimet më të përzemërta për shëndet të plotë e mirënjohje të thellë nga të gjithë që kanë njohur kontributin tënd prej anesteziologu qe 40 vjet.
Sot, jemi mbledhur e gjithë familja Ismaili, sepse ke qenë me ne qe 40 vjet në çdo dhembje e plagë tonën, në çdo brengë e shqetësim, ndaj sot të gjithë, me zemrën plot, me falënderimet më të sinqerta, duam të jemi me ty në përmbyllje të këtij kapitulli të sukseshëm e madhështor të karrierës tënde profesionale.
Pse kaq shumë dashuri? Pse ju çmojmë kaq shumë?
Emri yt është i lidhur me kujtimet tona më të dhembshme, me humbjen e njerëzve tanë më të dashur, por edhe me triumfet tona ndaj shqetësimeve shëndetsore që i kemi pasur përgjatë viteve.
Për të gjithë ne, me hallet e vogla e të mëdha, ti, ishe atje. Mes lotëve tanë, ti ishe përqafimi më i ngrohtë.
Pra, mjaftonte përmendja e emrit tënd, dhe ti shndërroheshe në ilaç për zemrën e të sëmurit, e në siguri për familjarët e shqetësuar.
Fjala jote kishte peshë, siç peshon fjala e mjekut, ku i sëmuri i var shpresat e thyera, por zëri yt, i mbështjellë me butësi e kujdes, ishte zë përtej detyrës profesionale, zë human që shkon përtej dijes e shërbimit mjekësor, që, nuk e kanë të gjithë mjekët.
Atë e posedojnë vetëm njerëzit e veçantë, të lartësuarit nga Zoti, misionarët e ndritshëm, jeta e të cilëve nuk është jetë e tyre, por është jetë në shërbim të shpëtimit të mijëra jetëve dhe në ngushëllim të mijëra të tjerave që i jetojnë ditët e fundit.
Ne nipat e mbesat Dajë, jemi rritur me rrëfimet e prindërve tanë për ty.
Na është treguar se kur ke filluar punën, si anesteziologu i parë në rajonin e Gjilanit dhe i pesti në nivel të Kosovës.
Kontributi yt ka qenë i jashtëzakonshëm, punë e stërngarkuar, ditë e natë në krye të detyrës, në shërbim të ushtarëve të UÇK-së dhe atyre të UÇPMB`së, të nxënësve në helmimet në fillim të viteve të 90-ta, në ditët më të vështira të kombit.
Por, asnjëherë neglizhent a i pamotivuar.
Rrëfime dhe mirënjohje për ty, e kemi parë që ke nga mijëra pacientë, familjarë e jo familjarë, të njohur e të panjohur, sepse ti, ishe i të gjithëve. Mjeku i sëmundjeve tona, por, mbi të gjitha, mjeku i zemrave tona.
Të paçim edhe shumë vite pranë nesh, me shëndet të plotë e vullnet të çeliktë, siç e ke pasur gjithmonë!
Përjetësisht mirënjohëse, mbarë familja Ismaili.